2009-12-17 16:22:51

Papa tetë ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë: paqja universale arrihet duke respektuar gjithçka ka krijuar Zoti e duke njohur kontributin e feve


(17.12.2009 RV)RealAudioMP3 Bota nuk do ta njohë kurrë paqen nëse ata që e qeverisin do të përpiqen gjithnjë t’i mënjanojnë vlerat fetare në shoqëri, në vend që të njohin kontributin e tyre. Kështu foli sot paradite Papa Benedikti XVI në fjalimin e mbajtur para tetë ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë, që paraqitën letrat kredenciale. Ata janë nga Danimarka, Uganda, Sudani, Kenia, Kazakistani, Bangladeshi, Finlanda e Letonia.
Ekologjia ambientale, por edhe ajo shoqërore, ishin në qendër të fjalëve të Papës, i cili vuri theksin në përgjegjësinë që kanë shtetet dhe politikanët në administrimin e mirë si të njërës, ashtu edhe të tjetrës:
“E mira e njeriut nuk qëndron në konsumin gjithnjë e më të shfrenuar dhe në grumbullimin pa fund të pasurisë, konsum e pasuri që u janë rezervuar një numri të kufizuar njerëzish, por që paraqiten si shembuj për masën. Për këtë, nuk u takon vetëm feve të ndryshme të njohin e të mbrojnë primatin e njeriut e të shpirtit, por edhe shtetit. Ai e ka për detyrë ta bëjë këtë, në veçanti, përmes një politike ambicioze që favorizon të gjithë qytetarët – në mënyrë të barabartë – për të marrë pjesë në të mirat e shpirtit”.
Është fjala për shpirtin e shoqërisë, pa të cilin ajo nuk mund të ekzistojë. Është fjala për shpirtin, që shprehet përmes fesë. Këtu Papa bëri thirrje për dialog ndërfetar dhe ekumenik, në mënyrë që të gjitha konfliktet e mosmarrëveshjet ndërmjet feve të zgjidhen me rrugë paqësore. Pavarësisht se ky dialog, në momente të caktuara bëhet shumë i vështirë, theksoi Benedikti XVI, është rruga e vetme në të cilën duhet ecur.
E sërish, iu drejtua botës politike, duke vënë në dukje vështirësinë e saj për ta vendosur njeriun në vendin e parë të shoqërisë e për të njohur rëndësinë e nevojën e fesë:
“Paqja, aq shumë e dëshiruar, nuk do të arrihet përveçse nga veprimtaria e përbashkët e individëve, që e zbulojnë naturën e saj të vërtetë në Zotin, dhe nga liderët e shoqërisë civile e fetare, që – në respektim të dinjitetit e të fesë së të gjithëve – do t’i njohin fesë rolin e saj të vërtetë e fisnik në shoqërimin e përsosjen e njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.