2009-12-17 16:23:06

Nesër në Danimarkë mbyll punimet Konferenca e Kopenhagës. Deri tani asnjë deklaratë serioze.


(17.12.2009 RV)RealAudioMP3 Në Kopenhagë vazhdojnë me ritme frenetike bisedimet për klimën. Rreziku që konferenca të dështojë është shumë i madh, por megjithatë ka ende shpresa se 120 kryetarët e vendeve pjesëmarrëse do të arrijnë një marrëveshje, tani kur ka mbetur vetëm një ditë nga përfundimi i konferencës. Gjithashtu nesër do të mbërrijë në Konferencë edhe presidenti amerikan Barak Obama.
Ndonëse 193 delegacionet që janë të pranishme aty po i vazhdojnë pa ndërprerje bisedimet tashmë është e qartë se optimizmi i ditëve të para është zhdukur. Qarkullojnë zëra se nuk do të arrihet asnjë marrëveshje, por vetëm një deklaratë që nuk detyron askënd të respektojë asgjë, me fjalë të tjera një dështim i plotë. Këto shqetësime u konfirmuan edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel e cila nga Berlini tha: “Lajmet nga Kopenhaga nuk janë të mira.”, duke iu kërkuar më shumë impenjim SHBA dhe Kinës që mos t’i bllokojnë bisedimet, sepse mund të ketë pasoja dramatike për planetin.
“Bisedimet po ecin me shpejtësinë e breshkës” theksoi për gazetarët kryeministri australian Kevin Rud. Ndërsa sekretarja e shtetit Hilari Klinton tha se SHBA janë të gatshme të kontribuojnë bashkë me vendet e tjera më të industrializuara për t’iu dhënë 100 miliardë dollarë vendeve në zhvillim e sipër të cilat ka kohë që luftojnë për ndihma ekonomike. Nga ana tjetër Klinton i kërkoi palës kineze të jetë më transparente në bisedime, kurse kryeministri kinez Ven Zhiabao nënvizoi se vendi i tij do të luftojë kundër ndryshimeve klimatike me vendosmëri dhe sinqeritet.
Konferencën dje e përshëndeti edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha. Në fjalimin e tij që zgjati vetëm 3 minuta, ai theksoi se synimi kryesor i qeverisë që drejton është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së gjelbër në rajon.
Në lidhje me ndryshimet klimatike, kujtojmë se Papa Benedikti XVI në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqës 2009, është shprehur: “Pa respektuar Krijimin nuk mund të ketë paqë në botë.” Pikërisht mbi vlerat dhe impenjimin etik në mbrojtje të mjedisit, në mikrofonin tonë flet Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Barrozo:




Përgjigje: Unë mendoj se tema e ndryshimeve klimatike përbën një sprovë ndërkombëtare përgjegjësie dhe solidariteti. Kriza financiare që po përjetojmë dëshmon sesa të varur nga njëri-tjetri jemi. Konferenca e Kopenhagës është rasti i parë për të treguar se mund të punojmë në një drejtim të përbashkët. Me këtë shpirt kemi ardhur këtu, në Kopenhagë. Po përsëris atë që kam thënë edhe më parë: në këto lloj bisedimesh nuk mund t’ia lejojmë vetes që t’i kundërvihemi njëri-tjetrit. Përkundrazi duhet të punojmë bashkarisht sepse gjendemi përballë një objektivi të përbashkët për të ardhmen e planetit dhe të cilësisë së jetës të breznive të ardhshme. Duhet t’i japim fund retorikës tradicionale që lidhet me interesat e shteteve të veçanta: jetojmë të gjithë në një planet. Përveç ndonjë teme të veçantë, që u trajtua këtu nga ekspertë kompetentë, Konferenca e Kopenhagës përfaqëson, po e përsëris, një sprovë të rëndësishme për përgjigjen në shkallë botërore për të sfidat globale të shekullit XXI.







All the contents on this site are copyrighted ©.