2009-12-16 16:50:10

Çmimi Sakarov dhe problemi i kryqit në shkolla në Europarlament


(16.12.2009 RV)RealAudioMP3 Shpresojmë të kontribuojmë në fundin e rrethit vicioz të frikës e të dhunës, që kërcënon mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Federatën Ruse: kështu foli sot presidenti i Parlamentit Evropian, Buzek gjatë dhënies së çmimit Sakarov 2009 tre aktivistëve rusë të organizatës “Memorial” për të drejtat e njeriut.
Oleg Orlov, Sergei Kovalev dhe Ljudmilla Aleksejeva: histori ndihme për të burgosur politikë e në një rast edhe përvojë e drejtpërdrejtë burgu. Me ta punonte Natalia Estemirova, vrarë në Çeçeni korrikun e kaluar. Organizata e tyre “Memorial” lindi në fund të viteve ’80 për të ndërtuar një përkujtimore për viktimat e stalinizmit dhe u bë me kohë një zë me autoritet në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Çmimi është i rëndësishëm për ne – komentuan fituesit – por pas vrasjes së gazetares Ana Politkovskaja, kemi frikë se çmimet e njohja botërore nuk janë të mjaftueshme për t’u shpëtuar jetën aktivistëve për të drejtat e njeriut në Rusi.
Çmimi Sakarov ishte vetëm njëri nga momentet e Asamblesë së Përgjithshme të fundvitit në Parlamentin Evropian. Argumenti tjetër i rëndësishëm ishte vendosja e kryqit nëpër shkolla, për të cilën është shprehur kundër Gjykata e Strasburgut. Problemi është i ndjeshëm sidomos në Itali e në Spanjë. Europarlamentarët diskutuan nëse i duhet kërkuar Komisionit Evropian, organ ekzekutiv i Bashkimit Evropian, të ndërhyjë për ta deklaruar të pazbatueshëm vendimin. Ndërkaq, komisari evropian për drejtësinë, sigurinë dhe lirinë, Zhak Barrot deklaroi se vendosja e kryqit nëpër shkolla është çështje e legjislacionit të çdo vendi. Për qëllimin e kërkesës së europarlamentarëve, të dëgjojmë zv.presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Anxhelili:
Është rizgjimi i ndërgjegjeve, pasi ata që kanë marrë këtë vendim duan pikërisht të venë në gjumë ndërgjegjet, të zhdukin ndryshimet, të fshijnë idealet e entitetet. Ndërsa ne duam procesin e kundërt.
Një lloj pluralizmi i neutralitetit është në bazën e vendimit, që i jep të drejtë zonjës daneze, e cila kërkon të heqë kryqin nga klasat e shkollave italiane. Çfarë u mëson Evropa të rinjve, të jetojnë sëbashku megjithë ndryshimet, apo t’i sheshojnë ato?
Duhet t’u mësojmë të rinjve se ekzistojnë shumë kultura, shumë vlera, se mund të marrim shumë vendime mbi bazën e idealeve, ideologjive apo feve, por duhet të mbrojmë identitetin dhe identitetet në përgjithësi, rrënjët kulturore, rrënjët fetare, përndryshe të rinjtë do t’i humbasin ato krejtësisht. Duke dashur të shoh anën pozitive të çështjes, mund të them se kjo ngjarje i shkundi mirë ndërgjegjet dhe i bëri njerëzit t’i thonë “jo” kësaj Evrope të burokracisë e t’i thonë “po” Evropës së impenjimit, të vlerave, të idealeve të forta.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.