2009-12-16 18:21:49

Sot - festa e Shën Davidit, Mbret e Profet


(16.12.2009 RV)Davidi është figura më e rëndësishme në historinë e Izraelit të gjysmës së dytë të shekullit X para Krishtit.
Ishte më i vogli i shtatë djemëve të Jeses, nga fisi i Judës. Qe ende i mitur, kur Zoti e nisi Samuelin për ta shuguruar Mbret, në vend të Saulit. E thirrën nga bjeshka, ku po kulloste grigjët e të jatit. Sapo mbërrjti, Samueli e lyu me vajin e bekuar në mes të vëllezërve të tij. U bë, kështu, mbret i Izraelit.
Që nga kjo ditë shpirti i Zotit ishte gjithnjë mbi të, ndërsa Sauli u pushtua nga një trishtim i thellë, i cili nganjëherë i kthehej në tërbim.
Davidi luante me mjeshtri të rrallë në harpë e këndonte mrekullisht bukur. U thirr, prandaj, në oborrin mbretëror, si shqytar, sepse me harmoninë e tingujve e melodinë e këngës ia davariste trishtimin mbretit.
Ndërsa Davidi kryente këtë shërbim në oborrin mbretëror, nisi lufta ndërmjet izraelitëve e filistejve. Për të shmangur derdhjen e kotë të gjakut, një nga luftëtarët filistej, i gjatë më se tri metra, i njohur me emrin vigani Golia, i afrohej fushimit të izraelitëve e u bërtiste me sa zë që kishte: “Në se ndokush prej jush dëshiron të luftojë me mua, të dalë menjëherë në fushë të mejdanit!”.
Më pas shtonte: “Unë sot i poshtërova aradhet e Hyjit të Izraelit!”.
Davidi, duke e dëgjuar si bërtiste, pyeti: “E kush është ky i parrethprerë, që guxon të tallet me popullin e Hyjit? Do t’i dal unë në fushë të mejdanit, ashtu si dëshiron!”.
Një të thënë, një të bërë. Mori kërrabën, zgjodhi pesë gurë të lehtë nga përroi, i qiti në trastën e bariut, rrëmbeu në dorë bahen dhe u nis drejt viganit. E qëlloi me gur, duke i rënë mu në lule të ballit. Goditje e papritur për tjetrin. Atij iu morën mendtë e ra pa frymë përdhe. Davidi i kërceu përsipër, ia zhveshi shpatën e ia ndau kokën nga trupi. Me atë kokë në dorë u priu izraelitëve drejt fitores.
Sauli nuk u gëzua aspak për këtë fitore zulmëmadhe të Davidit: përkundrazi, e pati zili. E që nga ai çast dëshironte ta shikonte një orë e më parë të vdekur. Për të shpëtuar nga një fat i tillë, fare i pamerituar, Davidi iku në shkretëtirë, i bindur se kush beson në të Tejetlartin, jeton i sigurtë e s’ia ka frikën askujt, sado i fuqishëm të jetë. A s’e kishte thyer sapo viganin, të cilit i druheshin të gjithë?
Pas vdekjes së Saulit, Davidi i priu me zell e virtyt të madh popullit, gjithnjë me frikën e Zotit. I dha shkëlqim të ri kultit hyjnor e, pasi ngriti një shatorre madhështore mbi malin e Sinait, e vendosi aty Arkën e Besëlidhjes së amshuar me Zotin.
Kur ndjeu se po i afrohej vdekja, thirri të birin, Salomonin, e i tha: “Bir i dashur, ec në rrugët e Zotit e jeto sipas urdhërimeve të tij, në se dëshiron të kesh sukses në çdo punë, që do të të prekë dora!”.
Më pas i përfundoi në paqe ditët e veta mbi këtë tokë e shkoi të flinte me etërit.
Poet i jashtëzakonshëm, në Psalmet e pavdekshme, që mbajnë emrin e tij, këndoi dhimbjen, pendimin, shpresën, fenë. Psalmet e Davdit njihen njëzëri si kryevepër e kryeveprave të krijimtarisë njerëzore. Profeti, me mendjen e tij të lartë e të ndriçuar nga Hyji, pa të Drejtin të dënuar, të mbytur e ngadhënjyes mbi vdekjen duke i treguar, kështu, botës mundimet e ngjalljen e Krishtit.
Zoti i siguroi sundim të amshuar, sepse Shëlbuesi, Mbreti i vërtetë, që do ta shtrinte shëlbimin deri në skajet më të largëta të tokës, duke i përfshirë të gjithë njerëzit në një Izrael të vetëm, lindi pikërisht nga fisi i tij.
Prandaj Jezusi quhet ‘Bir i Davidit’.
Figura e Davidit ka frymëzuar artistë të të gjitha kohëve, vendeve e arteve: duke filluar nga skulptura, tek piktura, muzika e poezia.Mjafton të kujtojmë vetëm një nga kryeveprat më të realizuara të të gjitha kohëve, shtatoren e Davidit në mermer, në çastin kur përgatitet të qëllojë Golinë, dalë nga dora e Mikelanxhelo Buonarrotit, që vijon t’i mahnisë njerëzit e mbarë botës, nga Firence e Italisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.