2009-12-16 16:49:58

Mbledhja mbi klimën larg nga marrëveshja


(16.12.2009 RV)Lajme të këqija nga mbledhja për klimën, që po zhvillohet në Kopenhagë të Danimarkës. Dy ditë para mbylljes së punimeve, marrëveshja përfundimtare duket akoma larg. Asnjë projektrezolutë e re e asnjë propozim në horizont. Ka disa përparime mbi argumente si bujqësia dhe problemi i shpyllëzimit, por janë të pamjaftueshme për të ulur në tryezën e bisedimeve krerët e shteteve dhe të qeverive që priten në Bella Center.
Sinjal shqetësues ky, që konfirmon kundërvënien historike ndërmjet vendeve të pasura e vendeve të varfëra në zhvillim të vrullshëm. Nëse, nga njëra anë, SHBA-të dhe Evropa përpiqen të shkojnë përtej Protokollit të Kiotos dhe të vendosin për reduktimin e dukshëm të gazeve serë, vendet e G77-ës kundërshtojnë, duke kërkuar fonde dhe teknologji për zhvillimin.
Po punohet mbi dy projektrezoluta. E para propozon financime për ekonomitë në zhvillim, që të zvogëlohen pasojat e ndryshimit të klimës. Në këtë bocë nuk duken shifra. E dyta përmban përqindje të negociueshme mbi emetimin global të dioksidit të karbonit deri në vitin 2080.
Ndërkaq, jashtë Qendrës së Takimit rritet tensioni. “No global” e ambientalistë kanë marrshuar sot sërish drejt dyerve të mbyllura të mbledhjes. Mëse 100 vetë janë arrestuar. Kryeqyteti danez u flet të mëdhenjve të botës edhe përmes fikjes vullnetare të dritave. Errësira është mesazhi për rrezikun që i kanoset Tokës dhe dëshira për arritjen e një marrëveshjeje. E kur ai vjen nga qyteti më ekologjik i botës, merr pa dyshim një vlerë të veçantë e më të madhe.








All the contents on this site are copyrighted ©.