2009-12-16 18:58:54

Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Gjonit të Salisbëri-t.


(16.12.2009 RV)Gjoni lindi në Salisbëri të Anglisë, ndërmjet viteve 1100 e 1120. Duke ia lexuar veprat, e sidomos, letërkëmbimin tejet të pasur, mund t’i njohim me hollësi ngjarjet kryesore të jetës së tij. Për dymbëdhjetë vjet rresht, nga viti 1136 deri në vitin 1148, iu kushtua plotësisht studimeve, duke ndjekur shkollat më në zë të epokës, në të cilat dëgjoi mësimet e profesorëve më të famshëm. Shkoi në Paris e më pas në Shartrë, mjedis që ndikoi më shumë nga të gjithë për formimin e tij. Këtu i lindi dëshira për të njohur sa më shumë kultura, interesi për probleme filozofike, prirja për letërsi. Siç ndodhte shpesh asokohe, studentët më të shkëlqyer kërkoheshin nga prelatët e nga sovranët, si bashkëpunëtorë të tyre të ngushtë. Kjo i ndodhi edhe Gjonit, të cilin miku i tij, Bernardi i Kiaravales, e njohu me Teobaldin, kryeipeshkëv i Kanterburit, seli e primatit të Anglisë. Prelati e pranoi me kënaqësi në gjirin e klerit të tij. Për njëmbëdhjetë vjet, 1150-1161, Gjoni qe sekretar e kapelan i kryeipeshkvit të shtyrë në moshë. Zhvilloi me zell të zjarrtë, ndërsa vijonte të studionte, një veprimtari të dendur diplomatike, duke shkelur dhjetë herë në Itali, me qëllim që të kujdesej për marrëdhëniet e Mbretërisë e të Kishës së Anglisë me Papën e Romës. Ndërmjet tjerash, në këtë kohë Papë ishte Adriani IV, anglez, që kishte miqësi të ngushtë me Gjonin. Pas vdekjes së Adrianit IV, më 1159, në Angli u krijua një situatë e rëndë, plot me tensione ndërmjet Kishës e Mbretërisë. Mbreti Henriku II përpiqej t’i impononte Kishës autoritetin e tij, duke ndërhyrë në punët e saj të brendshme, gjë që çonte në kufizimin e lirisë kishtare. Një qëndrim i tillë pati si pasojë reagimin e Gjonit e, sidomos, të pasardhësit të Teobaldit në katedrën ipeshkvnore të Kanterburit, Shën Tomës Beket, i cili u detyrua të mërgohej në Francë. Gjoni e shoqëroi e vijoi t’i shërbente, duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i hapur rrugën pajtimit. Më 1170, kur si Gjoni, ashtu edhe Toma qenë kthyer në Angli, ky i fundit u sulmua dhe u mbyt në katedralen e tij. Vdiq si martir e si i tillë nisi të nderohej menjëherë nga populli. Gjoni vijoi t’i shërbente besnikërisht edhe pasardhësit të Tomës, derisa u zgjodh ipeshkëv i Shartrë, ku shërbeu që nga vitit 1176, deri në vitin 1180, kur vdiq. Nga vepra e Gjonit të Salisbëri-t meritojnë të kujtohen sidomos dy kryevepra, me titujt elegantë në gjuhën greke: “Metaloghicón”(Në mbrojtje të logjikës) dhe ‘Polycráticus”(Burri i shtetit).







All the contents on this site are copyrighted ©.