2009-12-15 15:52:25

Në Kopenhagë ndeshen dy këndvështrime mbi ambientin.


(15.12.2009 RV)Për çështjet e ngritura nga Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 43-të Botërore të Paqes u diskutua edhe sot në mbledhjen e Kopenhagës mbi klimën. Ministrat e ambientit po përpiqen të arrijnë një marrëveshje para së premtes, kur në kryeqytetin danez do të shkojnë krerët e 100 vendeve.
Karakteri i papërcaktuar i projektrezolutës fotografon më së miri pasigurinë që rrethon bisedimet me dyer të mbyllura në Qendrën Bela. Ndeshen dy këndvështrime: nga njëra anë, ata që duan një traktat të vetëm gjithëpërfshirës, i cili kur të skadojë Protokolli i Kiotos në vitin 2012, t’i detyrojë vendet të marrin impenjime të caktuara; nga ana tjetër, ata që punojnë për azhurnimin e kufizuar të Kiotos, ku parashikohen impenjime vetëm për vendet e industrializuara, që e kanë nënshkruar Protokollin. Vizioni i parë gjen kundërshtime sidomos nga Kina e SHBA-të, të cilët gjithsesi nuk e mendojnë njëlloj kur është fjala për verifikimin ndërkombëtar të emetimit të dioksidit të karbonit, që Kina nuk e pranon.
Në Kopenhagë mbërriti sot edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, i cili paralajmëroi se nuk ka më kohë për të gjetur marrëveshjen për klimën dhe se dështimi i bisedimeve të tanishme do të ketë pasoja katastrofike për të ardhmen.
Mbledhja shënohet edhe nga ndeshjet e manifestuesve të natës së djeshme me policinë në zonën “hipi” të kryeqytetit danez. U arrestuan 210 të rinj, që hodhën bomba molotov e gurë kundër policëve. Këta të fundit përdorën edhe gaz lotsjellës.








All the contents on this site are copyrighted ©.