Motu proprio e Benediktit XVI mbi ndryshimin e disa neneve të Kodit të së Drejtës
Kanonike për diakonatin dhe martesën.
(15.12.2009 RV)U publikua sot Motu
proprio e Benediktit XVI “Omnium in mentem” mbi ndryshimin e disa neneve të Kodit
të së Drejtës Kanonike, që kanë të bëjnë me dy çështje: diakonatin dhe martesën. Ndryshimet
vijnë pas vitesh studimi, që kanë filluar që gjatë papnisë së Papës Gjon Pali II. Ndryshimi
i parë ka të bëjë me dy nene të sakramentit të Shugurimit (1008 dhe 1009) dhe është
bërë për të saktësuar më mirë ndarjen ndërmjet shugurimit ipeshkvnor, meshtarak dhe
diakonatit. Në një notë, presidenti i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, imzot
Françesko Kokopalmerio sqaron se mund të veprojnë me cilësinë e “personit të Krishtit
Kryetar” vetëm ipeshkvijtë dhe meshtarët, ndërsa diakonët mund t’i shërbejnë popullit
të Zotit në diakoninë e Liturgjisë, të Fjalës dhe të Bamirësisë. Gjithsesi, kjo është
një çështje thjesht formale. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me tre nenet mbi martesën
(1086, 1117 dhe 1124), të cilët flasin për besimtarët e ndarë nga Kisha “me akt formal”.
Të përpiqemi ta sqarojmë këtë ndryshim, duke ia dhënë fjalën sekretarit të Këshillit
Papnor për Tekstet Legjislative, mons. Huan Injacio Arrieta: Ndryshimi ka të
bëjë me heqjen e frazës për ndarjen nga Kisha “me akt formal”, e cila përjashtonte
nga detyrimi për t’u martuar në Kishë, ata të pagëzuar katolikë që ishin larguar nga
Kisha, duke hyrë për shembull në sekte. Mendohej se duhej futur ajo frazë, për të
evituar që martesa e tyre, në rastet e pendimit e të kthimit në Kishë, të konsiderohej
e pavlefshme formalisht. Më pas, u pa se kjo frazë nuk funksiononte, pasi i vështirësonte
edhe më tej gjërat, në momentin kur këta persona dëshironin të ktheheshin në gjirin
e Kishës Katolike. Në fakt, kishin një vështirësi më tepër, pasi Kisha e konsideronte
të vlefshëm një bashkim jashtë Kishës, që në fakt ishte jetëshkurtër. Cilat
janë pra, pasojat praktike të këtij ndryshimi? Këta persona, në këtë rast, janë
në të njëjtën situatë si dy katolikë që, në vend të martesës në Kishë, kanë bërë atë
në komunë: Kisha nuk e konsideron këtë martesë të vlefshme. Pra, tani, për
ata të pagëzuar që janë martuar me persona të besimeve të tjera, jashtë Kishës e rregullave
të saj, është më e thjeshtë të kthehen në gjirin e Kishës… Është më e lehtë
të normalizojnë bashkimin e tyre martesor dhe është më e lehtë t’i presim ata në gjirin
e Kishës.