2009-12-15 14:17:06

Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes: gjithësia, dhuratë e Zotit, nuk duhet absolutizuar, por as shkatërruar. Njeriu rrezikon t'i afrojë fundin vetes.


(15.12.2009 RV)Gjithësia është dhuratë e Zotit për krejt njerëzimin e mënyra se si sillemi me të kërkon përgjegjësi të përbashkët para njerëzve: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 43-të Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2010 me temën: “Nëse do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë”. Ati i Shenjtë nënvizon se “kur natyra e pikësëpari, njeriu konsiderohen thjesht fryt i rastit apo i determinizmit evolutiv, rrezikohet të dobësohet në ndërgjegje vetëdija e përgjegjësisë”. Me të vërtetë, shpjegon Papa, kriza aktuale ekologjike e ka zanafillën në krizën kulturore e morale të njeriut, i cili rrezikon vetëshkatërrimin. Më pas, Benedikti XVI bën thirrjen për solidaritet ndërmjet brezave e ndërmjet vendeve të pasura e të varfëra, duke kujtuar se pasuritë e kësaj toke i janë caktuar nga Zoti krejt njerëzimit.
“Është e rëndësishme – lexohet në tekst – që të pranojmë ndërmjet shkaqeve të krizës aktuale ekologjike, përgjegjësinë historike të vendeve të industrializuara. Gjithsesi, vendet më pak të zhvilluara, sidomos ato në zhvillim të vrullshëm, nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia për respektimin e gjithësisë, pasi detyra për të marrë masa graduale dhe politika ambientale të frytshme u takon të gjithëve”.
Ati i Shenjtë uron që të shfrytëzohet më mirë energjia diellore, të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm, të zhduken armët bërthamore. Duhet të ndryshojmë mënyrën e jetesës – thekson Papa – të dalim nga llogjika e thjeshtë konsumiste. Por Benedikti XVI fton edhe të mos absolutizohet natyra e të mos konsiderohet ajo më e rëndësishme se njeriu. Nuk duhet bërë as gabimi i kundërt: të sundohet natyra tiranisht, duke absolutizuar teknikën dhe pushtetin e njeriut.
Zoti i ka besuar njeriut “rolin e ruajtësit dhe të administratorit të përgjegjshëm të gjithësisë, rol për të cilin nuk duhet të abuzojë, por nga i cili nuk mund as të abdikojë”. E Papa përfundon: “Të shndritur nga Zbulesa hyjnore e duke ndjekur Traditën e Kishës, të krishterët ofrojnë ndihmën e tyre. Ata e shohin kozmosin dhe mrekullitë e tij në dritën e veprës krijuese të Atit e të asaj shëlbuese të Jezu Krishtit, i cili, me vdekjen e ringjalljen e vet, pajtoi me Zotin ‘si gjërat që janë në tokë, ashtu edhe ato që janë në qiell’ (Kol 1,20). Krishti, i kryqëzuar dhe i ringjallur, i ka dhuruar njerëzimit Shpirtin shenjtërues, që udhëheq rrugën e historisë, në pritje të ditës, në të cilën, me kthimin e lavdishëm të Zotit, do të përurohen ‘qiej të rinj e toka e re’ (2 Pjt 3,13), ku do të banojnë përgjithmonë drejtësia e paqja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.