2009-12-14 16:44:22

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Në pritje të Tjetrit”.


(14-12.2009 RV)Emisioni i pesëmbëdhjetë i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes” na kujton se njeriu duhet të jetë gjithnjë në pritje të ardhjes së Zotit, i cili shpesh herë ka pamjen e tjetrit, njeriut që takojmë rastësisht, pa e kuptuar se kemi takuar vetë Atë, që aq shumë e prisnim! Ashtu si ati ynë, Abrahami, që priti nën çadrën e vet të Gjithëpushteshmin, me pamjen e shtegtarit të largët e të lodhur, që kërkonte bukë e strehë.

Në sa shtegtojmë nëpër jetë, të mos harrojmë se:
“Fjala e të mbrapshtit na bën të biem në mëkat,
po Fjala e Zotit na shpëton!”.

 
E Shkrimi Shenjt na kujton:“Unë shoh, por jo tashti;
sodis, por jo nga afër”.Nm. 24, 2-17

 
“Shtegtojmë për ditë.
E dita i ngjet ditës.
Zemra e njeriut ka jetë,
e jeta është vuajtje.
Njeriu shtrin dorën
për lëmoshën e fjalës së mirë
e rri e pret dikënd:
figurë e çuditshme,
që nuk e di kush është
e as nga vjen.
‘Kush është?”, e pyesim veten.
Por duhet pritur
për të marrë përgjigje,
edhe pse s’na lë të qetë
kureshtja e padurimi.
Se ka takime
që jetën krejt e shndërrojnë.
Tjetri, që na takon, na merr për dore
e krejt pa dashur
na çon ku s’ishim nisë.
Diçka prej vetvetes nuk është më,
e lind në vetevete diçka krejt e re.
Na kujton Bibla:
“Forca, mos u habit,
e sytë ti hapi mirë
të çuditshmin, të pakuptueshmin
ta kuptosh!
Mos e lërë rastin të ikë.
Ndoshta ai që takon, është Zoti vetë
Duket si kalimtar,
të afrohet e s’e njeh.
e perdja s’të bjen nga sytë.
E të huton dyshimi:
“Nga qielli vjen
a nga njerëzit?”.
Zbuloje hijen e Tjetrit
në thellësitë që s’shihen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.