2009-12-14 17:03:54

Përkujtimi liturgjik i Shën Gjonit të Kryqit. Na mëson ta lexojmë Biblën si letër dashurie, shkruar nga Zoti për njeriun!


(14.12.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha kremtoi sot kujtimin liturgjik të Shën Gjonit të Kryqit, bashkëpunëtor i Shën Terezës së Avilës për themelimin e karmelitanëve të zbathur. Dijetar i Kishës, njihet si një nga mistikët më të mëdhenj të saj. Vepra e tij mistike është tekst i domosdoshëm për ata që dëshirojnë të hyjnë në botën e lidhjes së ngushtë të Hyjit me njeriun.
Shën Gjoni i Kryqit lindi në vitin 1542 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. E kaloi gjithë jetën në kërkim të Zotit, duke zbuluar ditë pas dite se rruga më e sigurtë për t’iu afruar, është ajo që të çon në njohjen e Jezu Krishtit. Mesazhi i tij, i përqendruar mbi orientimin e plotë në drejtim të Zotit, përmblidhet në këtë thirrje, e cila na kujton natën e shpirtit, që e provoi edhe Nëna Jonë Terezë:
“Hë, guxim, çohu: mos u zhyt në kënetën e mëshirës së përciptë! Mos e humb kohën në përpjekjen e ligshtë për t’u dukur njeri i virtytshëm. Përballoje pa frikë natën e shpirtit, ngjitu në shtegun e thepisur të asgjësë, në se dëshiron të provosh zjarrin e pashuar të dashurisë!”.
Shën Gjoni i Kryqit përdor një gjuhë poetike, tejet të pasur me figura e simbole. Shkrimtar me frymëzim të ri humanist e rilindas, i jep një ndihmesë të çmuar njeriut modern, të trazuar nga ankthi i jetës e i vdekjes, që dëshiron të ecë në rrugën e krishterë.
Atë Saverio Kanistrà, epror i përgjithshëm i karmelitanëve të zbathur, na e shpjegon kështu këtë ndihmesë:
Shën Gjoni i Kryqit e fton njeriun e të gjitha kohëve e të të gjitha vendeve ta zbulojë të mbramen pikarritje: bashkimin e njeriut me Zotin, shkruar në vetë natyrën tonë. Gjoni i Kryqit ka një dhanti të posaçme: dhantinë e artit. Para se të jetë teolog, është poet. Gjithë vepra e tij tingëllon si lirikë e hollë, lirikë dashurie. Ai e lexon Biblën si një letër të madhe, të gjatë, dashurie, që Zoti e shkruan për njeriun. E kësaj letre, Gjoni i përgjigjet me letrën e tij, të shkruar për Zotin”.

 
Por të rikthehemi tek jetëshkrimi i Shenjtit. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’ ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetri, për të fituar bukën e gojës, duke e marrë kudo me vete edhe jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës, Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën e rëndë, që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar. Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga eprori i përgjithshëm lejën për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues, që më pas u quajtën “të zbathur”. E u bë bashkëpunëtor i zellshëm i saj.Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit të Zotit të Mishëruar, në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më pas u ngarkua gabimisht me një faj, që nuk e kishte bërë, e kaloi tetë muaj në burg. E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet kryeveprave më të njohura të lirikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.