Në Kopenhagë mbërrijnë ministrat e ambientit. Protestë e vendeve në zhvillim
(14.12.2009 RV)Pas dy javësh nga
fillimi i mbledhjes për klimën në Kopenhagë të Danimarkës, sot qe dita e mbërritjes
së ministrave të ambientit. Deri tani, për rezolutën përfundimtare kanë punuar teknikët,
ndërsa që sot, fjala u kalon ministrave, të cilët duhet ta bëjnë gati propozimin para
se të shkojnë në qytetin danez “të mëdhenjtë” e kësaj bote, apo krerët e shteteve
e të qeverive. Ata duhet të nënshkruajnë marrëveshjen për të ndryshuar prirjen e ngrohjes
së vazhdueshme të klimës, ndërmjet 17 e 18 dhjetorit. Perspektiva nuk është e
shkëlqyer. Sot paradite, shumë vende afrikane dhe ato në zhvillim, si Kina, braktisën
tryezën e bisedimeve, duke akuzuar vendet e pasura se nuk respektojnë Protokollin
e Kiotos. Në skenën e Qendrës Bela, ku po zhvillohen punimet, qenë sot protagonistë
edhe parimet etike e zëri i fesë. U zhvillua një manifestim i Karitasit Ndërkombëtar
dhe i Këshillit Ekumenik të Kishave, gjatë të cilit u bënë propozime për politika
e strategji, që jo vetëm kanë për qëllim reduktimin e pasojave të ndryshimit të klimës,
por dëshirojnë ta bëjnë këtë me drejtësi për të gjithë. Të dëgjojmë përgjegjësin
e sektorit ndërkombëtar të Karitasit Italian, Paolo Beçegato: Ajo që kërkohet,
pavarësisht nga aspiratat politike, është aftësia për të qenë largpamës. Këtu duhen
vendime politike, që nuk janë thjesht caktimi i buxhetit për marrjen e disa masave
në prodhimin e energjisë, apo tjetër. Këto vendime duhet të kenë orientime të sakta
edhe për konsumin e sjelljen personale të secilit prej nesh. Për shembull, kur u ndërrua
i gjithë lëngu i ftohjes së frigoriferave, për të zvogëluar vrimën e ozonit, iu dhanë
direktiva krejt industrisë. Ato u shndërruan në prodhimin, tregtinë dhe blerjen e
tipave të ri të frigoriferave, që lejuan arritjen e rezultateve mjaft të mira në atë
front.