Në Iran arrestohen disidentët. Musavì nuk tërhiqet.
(14.12.2009 RV)Në Iran vazhdon arrestimi i atyre që kanë “fyer” Khomeinin,
por opozita nuk ndalet dhe lajmëron për protesta të reja kundër regjimit të Mahmud
Ahmadinexhadit. Gjithsesi, manifestuesit, që më 7 dhjetor grisën në shesh një fotografi
të ajatollah Khomeinit, përfunduan në pranga. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk do
të ketë mëshirë për ata që kanë fyer atin e revolucionit. Gjatë ditëve të fundit u
hapën fjalë se do të arrestohej edhe lideri i opozitës, Musavi dhe ish-kandidati tjetër
presidencial, Karrubi, por opozita shpall se do të dalë në sheshe në mënyrë paqësore,
që të mos i japë shkas policisë për ndërhyrje. Përsa i përket programit bërthamor,
sipas gazetës “Times”, Teherani po punon për detonatorin bërthamor, atë që e bën bombën
atomike të shpërthejë. E përditshmja londineze ka përkthyer disa dokumente sekrete
të vitit 2007, të cilat konfirmojnë këto përpjekje.