2009-12-14 17:03:00

Gëzimi i vërtetë i krishterë në fjalët e Papës, i cili gjatë Engjëllit të Tënzot bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë e kujton 4 misionarë vrarë në Afrikë.


(14.12.2009 RV)RealAudioMP3 “Krishtlindja do të kremtohet përsëri, për të na kujtuar se Misteri i Zotit është burimi i gëzimit të vërtetë. E Zoti vjen pranë nesh, kur e jetojmë atë që përfaqëson Shpella e Betlehemit: dashurinë, përvujtërinë, varfërinë. Kjo frymë festive përshkoi lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot. Takimi i Papës me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit tingëlloi si ftesë për ta pritur Krishtin me dashuri në të gjitha shtëpitë e Romës e të botës.
Benedikti XVI, sipas traditës, bekoi dje shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake, që i mbanin në duar fëmijët e shkollave.

“Gëzim i vërtetë është ai, që na bën të ndjejmë se jeta jonë personale e komunitare vizitohet e mbushet plot nga një mister i madh, misteri i dashurisë së Zotit”. Me këto fjalë i përshëndeti Papa fëmijët e mbledhur në Shesh për bekimin tradicional të Shtatoreve të Krishtit Fëmijë.
“Të shumëdashur, ju përshëndes të gjithëve me dashuri të madhe e ju falënderoj për praninë tuaj. Gëzohem që në familjet tuaja ruhet zakoni për të bërë Shpellën e Betlehemit. Por duhet ta dini se nuk mjafton përsëritja e një gjesti tradicional, sado i rëndësishëm qoftë. Duhet ta jetosh në realitetin e të gjitha ditëve, atë që përfaqëson Shpella e Betlehemit: dashurinë e Krishtit, përvujtërinë e Tij, varfërinë e Tij”.
Në të Dielën III të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI kujtoi se Shën Françesku, në Greço, e paraqiti të gjallë skenën e Lindjes së Krishtit, që ta kundronte e ta adhuronte, por sidomos, që ta vinte më mirë në jetë mesazhin e Birit të Zotit, i cili nga dashuria për ne u zhvesh nga gjithçka e u bë fëmijë i vogël. Bekimi i shtatoreve të Foshnjës Hyjnore – nënvizoi Papa – na kujton se Shpella e Betlehemit është shkollë jete:
“Shikojmë Shpellën e Betlehemit: Zoja e Shën Jozefi nuk na duken familje fatlume: pritën ferishten e tyre të parë mes trazirash të mëdha; e megjithatë, janë gjithë gëzim, sepse e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin e, mbi të gjitha, janë të sigurtë se historia e tyre është vepër e Zotit, i cili u bë i pranishëm në Jezusin e vogël”.
Më pas Papa shtoi:
E barinjtë? Pse u dashka të gëzohen? Ky i Posalindur sigurisht nuk do ta ndryshojë varfërinë e mjerimin e tyre. Por feja i ndihmon të shohin në Fëmijën e mbështjellë me shpërgënj, të vënë në grazhd, shenjën e përmbushjes së premtimeve të Hyjit për të gjithë njerëzit ‘që ai i do’, e edhe për ta”.
Gëzimi nuk lind vetëm nga sendet, por kryesisht nga dashuria e vërtetësia, tha Papa. Kemi nevojë për një Zot të afërt, i cili na e ngroh zemrën e i përgjigjet shpresave tona. Ky Zot u dëftua në Jezusin, që lindi nga Virgjëra Mari. Prandaj kjo Foshnje, që e vendosim në kasolle a në shpella, është qendra e çdo gjëje, është zemra e botës.
Pas lutjes mariane, një falënderim drejtuar Qendrës së Oratoreve Romake, që organizoi manifestimin e ‘Shtatoreve’ dhe një mendim për Ditën kushtuar kishave të reja, organizuar nga Dioqeza e Romës.Pastaj, kujtimi i katër misionarëve të vrarë në disa vende afrikane gjatë javës së kaluar:
Është fjala për Meshtarët Atë Daniel Cizimia, Atë Lui Blondel, Atë Gerri Rosh e Motër Dënisë Kahabu. Ishin dëshmitarë të Ungjillit, të cilin e kumtuan me guxim, duke rrezikuar edhe jetën. Ndërsa u shpreh afërsinë familjarëve dhe bashkësive të tyre në zi, i ftoj të gjithë të bashkohen me lutjen time, që Zoti t’i pranojë misinarët e vrarë në Shtëpinë qiellore, t’i ngushëllojë ata që vajtojnë për këtë humbje e të sjellë, me ardhjen e Tij, pajtim e paqe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.