2009-12-14 17:04:09

Gjoni i Kryqit, prift "shqetësues".


(14.12.2009 RV)Atë Gjoni i Kryqit shtrihet mbi kashtë, i dërmuar nga goditjet me kamxhik. Stomaku i përvëlon nga uria: prej muajsh i japin për të ngrënë vetëm bukë thatë. Edhe atë, me racion. Gjoni përpiqet të llogarisë kohën që kur e flakën në këtë qeli pa dritare, ku nuk depërton asnjë rreze drite. Që nga 4 dhjetori 1577 deri më sot, korrik 1578, kanë kaluar gati tetë muaj. Tetë muaj që jeton në errësisrë të plotë.
Po ç’ka bërë Gjoni, për t’u dënuar, si të ishte kriminel? Ka mbrojtur një simotër karmelitane, Terezën e Avilës, që donte ta reformonte Urdhërin e Karmelit. Edhe ai mendon se shumë gjëra duhen ndryshuar: të shuguruarit nuk e respektojnë më disiplinën e detyrueshme, nuk jetojnë duke u lutur, i shërbejnë më shumë vetvetes, sesa Zotit, të cilit kanë premtuar t’ia kushtojnë trup e shpirt. Karmelitanët, që s’duan ta pranojnë reformën, quhen ‘të zbutur’, ‘të vakët’, ose më mirë ‘të mefshtë’. Emra aspak të bukur, sigurisht.
Por ja që karmelitanët e mefshtë përbëjnë shumicën, ndërsa ndjekësit e Terezës, pakicën. Të tërbuar nga përpjekjet e dy shenjtorëve të ardhshëm, që po ua preknin interesat e po ua prishnin rehatinë, të zbuturit e kapën Gjonin e Kryqit në Avilë të Spanjës, natën ndërmjet 3 e 4 dhjetorit 1577, e sollën në Toledo dhe e mbyllën në këtë kuvend, kur që prej tetë muajsh trajtohet nga sivëllezërit, si të ishte bandit.
Në qeli Gjoni herë gëzohet e herë dëshpërohet. Gëzohet, sepse në errësirën e në heshtjen e burgut, shpesh e ndjen veten tepër pranë Zotit. Në këto çaste shkruan poezi të mrekullueshme, për t’i kënduar takimit të tij me Hyjin në natën e thellë. Por shpesh bie në dëshpërim. I vetmuar, i ligshtë, i trajtuar padrejtësisht, atje ku mendonte se duhet të mbretëronte drejtësia, i mbyllur mizorisht në qeli prej të vetëve, mendon se Zoti e ka lëshuar dore. Për më tepër të mefshtët bëjnë çmos ta bindin se reforma për të cilën luftonte Tereza e Avilës, po merrte fund një herë e mirë.
Gjoni nuk e di ende se lirimi i tij është i shpejtë. Në gjysmën e gushtit ikën nga burgu. Duhet pranuar se ndihma i erdhi prej Qiellit: pa në ëndërr Virgjërën Mari, e cila i tregoi ç’duhej të bënte për të hapur portën, për të dalë nga një dritare e për të zbritur, me litar, në një nga rrugët e qytetit. E kështu Gjoni rishikon dritën e ditës. E rifillon betejën përkrah Terezës së Avilës për ta ndryshuar Karmelin. Më në fund ata, me fenë e tyre të zjarrtë, ia dalin mbanesh të ngadhënjejnë mbi karmelitanët e mefshtë e të krijojnë një Karmel të ri, në të cilin sundon Zoti, jo njeriu!







All the contents on this site are copyrighted ©.