2009-12-13 14:47:51

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(13.12.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e 3-të të Kohës së Ardhjes.
Përkujtoi edhe Shenjtorët Luçia, virgjër e martire e Sirakuzës dhe Aristoni, martir.

Liturgjia e së hënës na kujton se premtimet e Zotit vërtetohen përmes besnikërisë së tij e pushtetit të tij, që i bën ballë çdo kundërshtimi njerëzor e mbinjerëzor. Është festa e Shën Gjonit të Kryqit, meshtar e dijetar i Kishës, karmelitan i zbathur.

Shën Paola e Shën Valeriani, ipeshkëv i Afrikës e martir, në festën e tyre liturgjike, të martën, na kujtojnë se Fjala e Zotit është e ashpër, sepse shumë shpesh na kërkon të veprojmë në kundërshtim me dëshirat tona, por është edhe tejet ngushëlluese: Zoti e pranon gjithnjë kthesën tonë.

Shën Davidi, mbret e profet dhe Shën Adelaidja perandoreshë, që do të kremtohen të mërkurën, me jetën dhe me fundin e tyre, na kujtojnë lumninë e njeriut, i cili e jeton me e për Zotin, çdo çast të jetës së tij.

 
Të enjten është festa liturgjike e Shenjtorëve Danieli profet, Anania, Azaria e Mizaeli; Gjon Mata, meshtar, themelues i Trinitarëve e Gjaçinto Kormier meshtar domenikan. Liturgjia, duke na rikujtuar gjenealogjinë e Krishtit, na tregon se me Jezusin gjithë historia e njerëzimit arrin kulmin e vet. Në Të, Hyji me ne u bë Hyji për ne.

Malakia profet e Gaciani, ipeshkëv i Turit, që do të festohen të premten, duke na mbushur me shpresë në këtë Kohë pritjeje, na kujtojnë se “Në ditët e Krishtit do të lulëzojë drejtësia e paqja”.

Zoti është i gjithëpranishëm në jetën e çdo njeriu. E ndjejmë më shumë pranë, pikërisht atëhere kur e lëshojmë krejtësisht vetveten në dorë të Tij. E për këtë lëshim plot shpresë na fton edhe liturgjia e së shtunës, në përkujtimin e Urbanit V papë e Anastasit papë.

E diela e ardhshme është e 4-ta e Kohës së Ardhjes, prelud i Krishtlindjes 2009, që do ta kremtojmë të premten, më 25 dhjetor!







All the contents on this site are copyrighted ©.