Selia e Shenjtë e realizmi i shpresës: editorial i Atë Federiko Lombardit.
(13.12.2009 RV)Kisha vijon dialogun me botën, në emër të Ungjillit e për të
mirën e njerëzimit: është dialog që ngjall shpresa, në pritje të hapjes së portave
të reja. Kjo atmosferë shprese, në prag të Krishtlindjes, është në qendër të vëmendjes
në editorialin me titull “Realizëm në shpresë”, shkruar nga Atë Federiko
Lombardi për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:
“Ndërmjet audiencave
të panumërta, gjatë të cilave kohët e fundit Papa ka pritur kryetarë shtetesh e qeverish,
si dhe përfaqësues diplomatikë nga të katër anët e botës, mund të kujtojmë tri, brenda
pak ditësh. Duke pritur ambasadorin e Kubës pranë Selisë së Shenjtë, Papa
vërejti se, pavarësisht nga vështirësitë e dekadave të kaluara në marrëdhëniet me
Selinë Apostolike e sidomos, nga kufizimet e veprimtarisë së Kishës, marrëdhëniet
diplomatike nuk u ndërprenë kurrë e përmirësimet vlerësohen shumë. Takimi
i Papës me presidentin rus Medvedjev, ishte rast për njoftimin e lidhjes së marrëdhënieve
diplomatike me Federatën Ruse, duke përfunduar kështu fazën njëzetvjeçare të afrimit,
me lidhje zyrtare ende të paplota. Është një hap domethënës përpara; situata armiqësore
gjatë regjimit komunist sovjetik, sot është vetëm një kujtim. Së fundi,
audienca me presidentin e Vietnamit, duhet konsideruar si urim për një etapë e re
të rrugës drejt normalizimit të marrëdhënieve me Vendin aziatik, ku Kisha katolike,
bashkësi e shumënumërt e plot gjallëri, feston sivjet një vit të rëndësishëm jubilar
e, pavarësisht nga vështirësitë e dhjetvjeçarëve të kaluar, e shikon plot besim të
ardhmen. Selia e Shenjtë vijon, me durim e largpamësi, të endë dialogun
me udhëheqësit e kombeve, duke menduar për të mirën e Kishës në vendet e tyre e për
perspektivën e mirëkuptimit e të paqes ndërmjet gjithë popujve. Diplomacia e saj nuk
udhëhiqet nga ligështia, as nga fryma e kompromisit. Bëhet fjalë, siç është thënë
shumë mirë edhe në të kaluarën, për realizmin e shpresës”.