2009-12-13 15:57:19

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Uji e zjarri”.


(13.12.2009 RV)‘Uji e zjarri’ titullohet emisioni i katërmbëdhjetë i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”. Simbole bazë të fesë së krishterë, uji e zjarri na kujtojnë Pagëzimin, zjarrin e Shpirtit Shenjt.
Askush nuk mund të bëhet i krishterë vetvetiu. Vetëm Krishti mund ta themelojë Kishën. E nga Kisha marrim fenë, duke nisur nga sakramenti i Pagëzimit, i cili është më shumë se pastrim.

E Ungjilli i Shën Lukës na kujton sot fjalët e Gjon Pagëzuesit:
“Unë, vërtetë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë… Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr”.Lk 3,10-18

 
“Mbi ty, që një ditë
në vathë të Zotit hyre
me ujë të pagëzimit,
zbritët Shpirti Shenjt!
Ai Shpirt që sjell flakën në botë
jo për ta bërë
shkrumb edhe hi,
por për ta rrokur me zjarr
që zemrat ndez e armiqtë përvëlonporsi shkëndijë e kallur.
Sepse e dimë të gjithë:
Burri në flakë provohet
ari në zjarr pastrohet!
E rrugët e Zotit
janë të çuditshme fort.
Si lumi i zjarrit,
zemrimi i tij,
si det i thellë, mëshira!

Tepricat e Izraelit

Tepricave të Sionit, grigjës së vogël
i flet Profeti.
Një populli t’shumvuajtur
rrethuar nga të huajtë.
Por Sofonia, larg çdo ligështie
Sionin e fton të ngrihet
rishtas në këmbë,
me kokën lart.
Se mori fund mjerimi,
vuajtjet do të kthehen në gëzim.
E Sioni do të shpërthejë
në këngë ngadhënjimi
si në ditë festash të mëdha.
Nga thellësi e kohës
na flet dhe ne Profeti.
Ne që, si grigjë e vogël
kohë të vështira po jetojmë.
Po cili gëzim i jetës
s’pëzjehet me hidhërim?
Cila lavdi qëndron
mbi dhe pa rënë në harresë?
Të gjitha janë më të ligshta se hija,
më të rreme se ëndrrat.
Një çast e të gjitha
i mëkëmbëson vdekja vetë!
Po feja nuk ndryshon
e Zoti prap na fton
t’mos biem në dëshpërim.
Zoti s’ndryshon
është përtej vdekjes
sëmundjes e përmbysjes.
Në dritë qirinjsh
mbështjellur me mister
Zoti na fshihet,
duke na u zbuluare zbret nga lart
e dëgjon lutjen tonë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.