2009-12-13 15:15:01

Papa në Strehën e Zemrës së Krishtit: të respektohet dinjiteti të sëmurit, pavarësisht nga shtytjet e shoqërisë, që vlerëson vetëm aftësitë për punë.


(13.12.2009 RV)Streha është qendër, ku mjekohen falas të sëmurët e pashërueshëm. U krijohen, kështu, mundësitë për lehtësimin e dhimbjeve të trupit e të shpirtit, në sa jeta i afrohet një fundi të pashmangshëm.
Bërthama e parë e Strehës lindi më 1998, pranë Shtëpisë së Mjekimit të Zemrës së Krishtit, falë ndihmës nga ana e Rrethit të Shën Pjetrit, Fondacionit Roma dhe Polit Onkologjik ‘Mbretëresha Helena’. Ngrihej, kështu, një qendër me rëndësi për lehtësimin e vuajtjes, në një kohë kur mjekimet e kësaj natyre ishin ende në fillimet e tyre.
Që nga janari 2005 Streha e ka zgjëruar veprimtarinë, duke krijuar mundësi për strehimin e të sëmurëve, për shërbim ambulator, për t’i ndjekur me shtrim ditor në spital e me shërbim ndihmës në shtëpitë e tyre. Më se njëqind të sëmurët, që strehohen këtu, janë kryesisht të prekur nga kanceri, skleroza ose nga forma të ndryshme të Alzaimerit.Kjo strehë tashmë është kthyer edhe në qendër për formimin e punonjësve shkencorë, si dhe për kërkime shkencore në këtë fushë kaq delikate për njeriun që vuan e që ka nevojë për ndihmë.
Prej këndej, më 8 mars 2007, duke u takuar me përfaqësuesit e Rrethit të Shën Pjetrit, Papa e vlerësoi lart shërbimin e Strehës së Zemrës së Krishtit, shërbim i heshtur, pa zhurmë e bujë, por tejet i rëndësishëm, sepse dëshmi e dashurisë për jetën njerëzore, që meriton vemendje e respekt, deri në frymëmarrjen e tij të fundit.
Ndërsa sot, pasi i takoi një nga një të sëmurët e familjarët e tyre, Benedikti XVI bëri me forcë thirrje për respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të të sëmurit, pa marrë parasysh shtytjet e shoqërisë së sotme, që vlerëson vetëm aftësitë e njeriut për punë, përndryshe e konsideron si barrë të rëndë e si problem, që duhet zgjidhur me rrugën e papranueshme të eutanazisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.