(12.12.2009 RV)Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen
rreth saj, vijon të jetë pikë e sigurtë referimi për meksikanët e të gjitha etnive,
të të gjitha konfesioneve fetare. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen:
"Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor,
që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur
nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia
paraqesë Zotit të vërtetë!”. Mijëra shtegtarë nga mbarë bota gjunjëzohen para
figures së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrën e tyre e të mbarë Kishës. Luten
e kujtojnë vitin e largët 1531, kur Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas Huan
Diegos, fshtarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi
ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën
e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë. Zoja
e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit
të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet
popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin. Bazilika, që
na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet
9 e 12 dhejtorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit
e parë të kthyer në kristianizëm. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh"
"Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës";
më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në
të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujtë e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve. Duke
pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e
herë pas hershme, Konferenca ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re:
guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja
e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhërit
të Zotit.