2009-12-12 13:04:16

Papa pret në audiencë në Vatikan Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha.


(14.12.2009 RV)Të shtunën e kaluar, më 12 dhjetor 2009, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Zoti Sali Berisha, u prit në Vatikan nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI; më pas zoti Berisha bisedoi edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet – bën të ditur një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, u shkëmbyen mendime për tema të ndryshme të situatës ndërkombëtare, me vëmendje të përqendruar kryesisht në zonën e Ballkanit perëndimor.
Biseda, pastaj, u përqendrua në disa aspekte të marrëdhënieve dypalëshe dhe u shpreh kënaqësia për zhvillimet pozitive. U vu në dukje mirëkuptimi ndërmjet Shtetit e Kishës, duke pasur parasysh ndihmesën e çmuar shpirtërore e humanitare, që jep Kisha katolike në të gjitha fushat e jetës shoqërore, posaçërisht në edukimin e njeriut me frymën e dashurisë së krishterë, të dialogut, të bashkëpunimit e të bashkëjetesës paqësore me të gjithë. E jo më pak, në kujdesin për shkollimin dhe shëndetin e tij. U kujtuan vlerat tradicionale të familjes, pasuri e përbashkët e mbarë popullit shqiptar.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Benediktin XVI të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së Bijës më të madhe të trojeve shqiptare, Nënë Terezës. Pastaj zoti Berisha i dha një intervistë të gjatë kryeredaktorit të Programit Shqip pranë Radio Vatikanit, dom David Gjugjës. Ta dëgjojmë intervistën ........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.