2009-12-12 15:23:22

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Ardhjes ‘C’
'Prania e Zotit është gëzim për njeriun!'


(12.12.2009 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës kishtare të Ardhjes, që paraprin e përgatit Krishtlindjen.
E diela e tretë e Ardhjes apo e pritjes së Lindjes së Jezu Krishtit përshkohet nga tema e gëzimit, sepse Zoti është afër! Për këtë liturgjia e kësaj së diele na fton të galdojmë. Gëzohuni sepse Zoti na sjell paqen e shpëtimin, thotë Shkrimi i Shenjtë.

Leximet biblike (Sof 3,14-18.a; Fil 4.4-7; Lk 3.10-18) të kësaj së diele na thonë se Zoti është afër nesh: ne nuk e shohim, por Ai po afrohet dhe dëshiron të na dhurojë gëzimin e vet hyjnor, atë gëzim që do të përsoset me kthimin e Tij, por i cili gëzim që tani mund të fillojë të zërë vend në jetën tonë për ta bërë më të bukur e të lumtur. Zoti ka dashur që historia njerëzore, kaq shumë e mbushur me vajë e vuajtje, të shoqërohet nga kumtimi i lumturisë, që në Mishërimin e Krishtit realizohet e sjell fryte.......................................RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Sof 3, 14-18

Profeti Sofonia i këndon gëzimit të takimit të ri mes dhëndrit, Hyjit, dhe nuses, Izraelit. Hyji përtërin besëlidhjen me popullin e tij. Pas shumë luftërash dhe lotësh që populli ka duruar, profeti sheh një të ardhme gëzimi dhe shpëtimi. Ai shpall se gëzimi dhe dashuria e Hyjit do të fitojnë mbi fatkeqësitë.

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër, ti, bija e Jerusalemit! E tërhoq Zoti dënimin tënd, i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbret i Izraelit është Zoti midis teje, s’ke pse më ta druash të keqen! Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion, assesi të mos mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima, Shpëtimtar! Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim porsi në ditë feste.” Fjala e Zotit.

Psalmi - Kënga Is 12, 2-6

Aleluja, në mesin tonë
po vjen Hyji i gëzimit e i haresë
----------
Qe, Hyji Shëlbuesi im,
kam besim e nuk kam frikë,
sepse fuqia ime e mburrja ime
është Zoti, Ai është shpëtimi im.
----------
Me galdim do të merrni ujë
nga burimet e shëlbimit.
Edhe thoni atë ditë:
“Falënderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
shpallni ndër popuj veprat e tija,
kumtojeni madhërinë e Emrit të tij!
----------
Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde,
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është
në mesin tuaj Shenjti i Izraelit!”
----------

Leximi i dytë Fil 4, 4-7

Të krishterët zotërojnë qartësinë se “Zoti është afër”. Jeta është plot shqetësime dhe shpresa, por pas ardhjes së Jezu Krishtit, jetohet në paqe dhe gëzim. Për këtë të krishterët duhet t’i dëshmojnë botës besimin përballë së ardhmes, qartësinë e qetë që jeta merr një kuptim me ardhjen e Krishtit.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 3, 10-18

Gjon Pagëzuesi shpall lajmin e mirë. Mesia që vjen do të vërë drejtësi jo nëpërmjet shenjash të jashtme (erë, zjarr, tërmet, kërcënime), por nëpërmjet shenjave të përvuajtura dhe personale të një ndryshimi të dukshëm të mentalitetit. Ai që kthehet është një njeri që jeton për të tjerët. Njerëzit që ndihen mëkatarë përgatiten për ardhjen e Mesisë që do të japë Shpirtin Shenjt, nëpërmjet pagëzimit të Gjonit, shenjë pendimi dhe kthimi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, turmat e pyetnin Gjonin: “Ne, pra, ç’na duhet të bëjmë?” “Kush ka dy palë petka – u përgjigjej – le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!” Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po neve çka duhet të bëjmë?” Ai u përgjigji: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre u përgjigji: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”
E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëzat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”
E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin. Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.