2009-12-11 18:28:07

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Ji i urtë, njeri”.


(11.012.2009 RV)Ja ku arritëm në emisionin e dymbëdhjetë të rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”. Kemi bërë së bashku një copë të madhe udhe drejt Shpellës së Betlehemit. E në sa vijojmë të ecim, duhet të kujtojmë se jemi të thirrur ta ndjekim Jezusin edhe në udhën e Kryqit e ta mundim të keqen me forcën e së vërtetës e të dashurisë . Vuajtja është pjesë e jetës, por nuk duhet harruar se Zoti, i cili hyn personalisht në histori, ka pushtetin të na shpëtojë përmes saj. Jini të urtë, prandaj. E jetoni me besimin e patundur se veprat do t’ju përligjin, edhe atëherë kur jeta ju gjuan me gurë!

E lexojmë këtë në Librin e Dijes, që na kujton se:

“ Dija përligjet nga veprat e veta”.
Mt. 11.19

 
“Kujdes, o njeri, kur flet,
e më kujdes kur vepron.
Ti shkak mos i jep askujt,
të flasi keq për ty.
Pa çka se do të të shajnë
sido që të sillesh.
Të këqijtë kur nuk shohin,
sendërgjojnë
e gati janë të shpifin,
kur s’dëgjojnë.
Se në vend të syve
mërinë kanë vënë në ballë
e drita e tyre është flaka e zilisë.
Sido që të jesh, për ta ti je i keq;
e të mirën tënde
të këqijtë e kthejnë përmbys.
Në se ti ha shumë,
je grykës e pijanec.
E në se ha pak e aspak,
thonë djallin ke në bark.
Për Gjon Pagëzuesin thoshin
se është i çmendur fare,
e për Jezusin Zot,
keqbërës për t’u kryqëzuar.
Mos u shqetëso aspak,
se të shajnë e të prozhmojnë.
Asnjë pikë vlere,
s’ka shpifja e ziliqarit!
Theje, prandaj, me vepra
terrin e natës e të zilisë.
Dija përligjet
me veprat e veta!
Rëndësi ka vetëm,
ajo që thotë vetë Zoti,
ku soset e nis jeta.
Zoti nuk hyn
në shpirtin që bën keq,
e as s’ banon në një trup
që bërë është rob i mëkatit.
Në mbretërinë e tij
s’gjykohen fjalët, por veprat
që lidhen me dritën e gjithësisë
me dashurinë, pa krahasim
me asnjë tjetër fjalë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.