Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë: Kosovë-Serbi 14:12, vendimi pritet në pranverë
(11.12.2009 RV)Përfunduan seancat dëgjimore në Hagë mbi ligjshmërinë shpalljes
së pavarësisë së Kosovës. Venezuela dhe Vietnami janë deklaruar në favor të qëndrimeve
të Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Me deklaratat e këtyre dy vendeve
përfunduan seancat dëgjimore në Hagë. GJND-ja pritet që mendimin këshillëdhënës ta
japë në pranverën e ardhshme. Venezuela dhe Vietnami kanë dëshmuar të premten
në favor të Serbisë. Ato kanë përsëritur tezat se Kosova ka shkelur rezolutën 1244
të Këshillit të Sigurimit e rrjedhimisht edhe sovranitetin dhe integritetin territorial
të Serbisë. Venezuela dhe Vietnami kanë pohuar se e drejta për vetëvendosje mund
të zbatohet vetëm në rastet e kolonive, ndërsa Kosova nuk e ka këtë të drejtë. Përfaqësuesi
i Venezuelës ka theksuar se shqiptarët e Kosovës i kanë gëzuar të gjitha të drejtat
në kuadër të Serbisë.
Pesëmbëdhjetë gjykatësit e GJND-së, prej të cilëve 8
janë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 7 nga ato që këtë nuk e kanë
bërë, gjatë 9 ditëve të kaluara kanë dëgjuar argumentet e Kosovës, Serbisë dhe 27
vendeve tjera.
Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së
Kosovës e kanë mbështetur Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania
e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda,
Norvegjia, Finlanda dhe Jordania.
Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë
dalë Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia,
Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami.
Burundi ka qenë i balancuar, ndonëse
nuk ka kontestuar pavarësinë e Kosovës. Pra, 14 vende kanë qenë në anën e Kosovës,
ndërsa 12 në anën e Serbisë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e ka të
përcaktuar asnjë afat deri kur duhet të deklarohet, por supozohet se do ta thotë fjalën
e vet në pranverë të vitit të ardhshëm. Një nga mundësitë është që GJND-ja fare
të mos deklarohet rreth rastit të Kosovës.