2009-12-11 18:27:51

Atë Kantalamesa në predikimin II të Kohës së Ardhjes: “Meshtari duhet të jetë aromë e Krishtit në botë”.


(11.12.2009 RV) Çdo meshtar duhet të përhapë në botë aromën e mirë të Krishtit. Ishte kjo figura, që vuri Atë Raniero Kantalamesa, në qendër të vëmendjes në predikimin e tij të dytë të Kohës së Ardhjes, mbajtur sot paradite në Vatikan, në prani të Papës e të Kuries Romake. Duke folur për hirin e shenjtërisë, aspekti më i rëndësishem i ritit shugurimit meshtarak, predikatari i Shtëpisë papnore i dënoi ashpër të gjithë ato meshtarë që, me pabesitë e tyre, shkaktojnë shkanduj, duke i larguar njerëzit nga Krishti.
Meshtari e merr shugurimin në praninë e Shpirtit Shenjt, si dhuratë nga ana e Zotit. Atëhere, ç’duhet të bëjmë për ta merituar këtë dhuratë? – pyeti predikatari:
“Mbi të gjitha, të lutemi. Na e thotë qartë vetë Jezusi: ‘Ati qiellor do t’ia japë Shpirtin Shenjt të gjithë atyre, që ia kërkojnë’. Pastaj duhet ta thyejmë edhe ne enën e alabastrit, si mëkatarja në shtëpinë e Simeonit. Ena është vetvetja jonë. Ta thyejmë do të thotë ta mohojmë vetveten e t’i kushtohemi krejtësisht Atit. Zoti nuk mund t’ia dhurojë Shpirtin e vet, atij që nuk i kushtohet plotësisht”.
Por në se bagmi i shugurimit e humbet aromën, shndërrohet në të kundërtën e vet e, në vend që t’i tërheqë njerëzit drejt Krishtit, i largon edhe më fort nga Ai – nënvizoi predikatari i Shtëpisë papnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.