2009-12-10 12:09:57

Romani i parë i letërsisë shqipe i vitit 1889 i kushohet “Marcies, virgjër e martire”.


(10.12.2009 RV)96 vjet me parë botohej romani "Shkodra e rrethueme", vepër e prozatorit të njohur, Dom Ndoc Nikës, që pas shumë pohimesh e mohimesh, konsiderohet gabimisht si romani i parë shqiptar. Romani "Shkodra e rrethueme" pa dritën më 10 dhjetor 1913.
Në kohën kur Dom Ndoci, prozatori që i la letrave shqipe një numër të madh prozash të të gjitha natyrave, qysh nga librat shkollorë, tek historitë e tek veprat e mirëfillta artistike, të parat e prozës së mesme e të gjatë në shqipet, fyhej në mënyrë të pabesushme, burgosej, mohohej e harrohej, Historia komuniste e Letërsisë Shqipe njihte si romancier të parë të shqipes, Foqion Postolin me romanin e tij "Për mbrojtjen e Atdheut", botuar më 1909, ndjekur nga botimi i romanit tjetër, shumë të njohur nga të gjithë lexuesit shqiptarë: "Lulja e Kujtimit", botuar më 1921. Emri i Dom Ndocit, në se kujtohej ndokund, kujtohej vetëm për t'u denigruar. E kështu mbetet edhe sot në tekstin e lartpërmendur, në përdorim.
Sidoqoftë, tani pranohet se ai është romacieri i parë me romanin "Shkodra e rrethueme". Në të vërtetë ai është romancieri i parë, por kjo vepër nuk është e para e prozës së gjatë artistike shqipe. Romanin e parë Dom Ndoci e botoi që më 1889. Titullohet "Marcja: martirja e parë e krishtenimit në fillés të vet". Eshtë historia e martirizimit të Marcies, e cila kallet e gjallë në dhe, sepse nuk pranonon të mohojë Krishtin. Vepra është një rrëfim ndërmjet hagjioagrafisë e romanit, me gjatësinë e një novele, që lexohet me andje edhe sot, në se mund të gjindet ende në skajin e ndonjë biblioteke tejet të vjetër shkodrane. Ka ardhur, pra, koha të pranojmë se fillon me një martire të krishterimit historia e romanit shqiptar.
 
Sot me 10 dhjetor përkujtojmë edhe një ngjarje tjetër të madhe për kulturën shqiptare: përvjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Më 10 dhjetor, me nismën e shoqërisë kulturore "Vllaznia” dhe të “Komisisë letrare”, nën kujdesin e laikut katolik Luigj Gurakuqit, u themelua në Tiranë Biblioteka Kombëtare. Fondi i parë përbëhej nga 6000 libra, dhuruar vullnetarisht nga shoqëritë e lartpërmendura. I shtuar nga viti në vit, sot ky fond arrin në më se 1 milion tituj, organizuar në një numër të madh sektorësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.