2009-12-10 12:09:44

Letër drejtuar babait të vdekur, Injac Zamputtit, që nuk pranoi të bëhej spiun i sigurimit!


(11.12.2009 RV)RealAudioMP3 U hap nga fundi i tetorit, në gazetën Panorama, një polemikë kundër Nexhmije Hoxhës, që u shfaq rishtas në publik, për të pohuar, ndërmjet tjerash, se Enver Hoxha e përkrahu gjithë jetën Eqrem Çabejn.
Nisi, atëherë, vrullshëm gërmimi në arkivat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, ku u gjet e u shfletua një dosje tejet e rëndësishme: ajo e njërit nga Personalitetet e rralla, që i bëjnë vërtet nder Shqipërisë kudo në botë: Profesor Eqerem Çabejt. Ky emër duhet ta kishte vendin vetëm në Fjalorët enciklopedikë a në librat, që përmbledhin arritjet më të mëdha të mendjes njerëzore. E megjithatë, nuk mundi t’i shpëtojë dosjeve famëkëqija. Në të, bashkë me një sërë emrash, të fshehur pas pseudonimeve të përçudnuara, si ‘Dhelpëria’, ‘Edija”, Prursja” etj etj, lexohen edhe emra të tjerë të shquar, miq e kolegë të profesorit të madh, të cilët hynë bashkë me të nën kapakët e dosjes, thjesht sepse nganjëherë ai guxonte t’ua thoshte rrumbullak të vërtetën. Pas këtij guximi, dosjes së famshme i shtoheshin edhe disa faqe, me kallëzimet e atyre, që pranuan ta spiunojnë Shkencëtarin e madh. E meritojnë, sigurisht, t’u dalin në dritë emrat e vërtetë, të cilët natyrisht dihen! Dosja tregon se qenë shumë ata, që e spiunuan. Por nuk munguan edhe Njerëz që, duke rrezikuar gjithçka, nuk pranuan ta padisnin, ta rrezikonin, t’i shqetësonin jetën e kërkimin shkencor. Nga shfletimi i Dosjes Çabej, një nga “veprat e mëdha” të Enver Hoxhës, del në dritë edhe një nga këto emra: Injac Zamputti. Ç’do të thoshte të mos pranoje të bëheshe spiun në kohën e diktaturës, këtë e dinë mirë vetëm ata që, heroikisht, refuzuan bashkëpunimin, duke ia mbyllur vetes të gjitha rrugët, veç asaj që çon drejt Mbretërisë së amshuar. Pikërisht me këtë Mbretëri lidhet shkrimi të cilin, pas botimit me shkurtime në gazetën Panorama (“Hafijet e sigurimit më nxinë jetën” – 30. 11. 2009), e lexon për ne, të plotë, vetë Jozef Zampurti, me krenari të ligjshme, nën titullin thellësisht prekës, ta dëgjojmë.....RealAudioMP3
FALEMINDERËS  BABË! 
             (Leter mbas vdekjes)
     "Po ta shkruej këtë letër në dialektin e dashtun tand (edhe temin) me të cilin linde e u rrite.  Jam në dhomën ku mbylle sytë për herë të fundit, tashti me kompjuter, ku nuk reshte së rrahuni makinën e shkrimit derisa nuk pate ma forcë e, mbasandej, me dorën që dridhej duke shkrue gjithnji për historinë e mesjetës së Shqipnisë.
E prisja këtë pohim të dokumentuem: AI NUK PRANOI TË REKRUTOHEJ. Ku e gjete atë forcë në atë kohë aq të rrezikshme? Ti aq i brishtë, aq i butë, e i sjellshëm? Vetëm te besimi i patundun te Zoti e te lutjet që nuk i ndave gjithë jetën. Këto na i mësove edhe ne dhe ishin të vetmet për me kalue dallgët e jetës. Po due me të kujtue ma poshtë se e kam gjetë një shënim - porosi, që kishe lanë në një fletë të vogël për nipin tand Marin dhe për të cilin nuk më kishe folë asnjëherë. E ruej si relike.
     "M.
Në qoftë se ti je duke lexuar këto fjalë që unë po shkruaj për ty, ti tashmë duhet të jesh rritur, duhet të jesh me  arsim dhe i ditur, duhet të jesh duke vazhduar ciklin e jetës sate, kurse imi do të ketë mbaruar. Shkruaj për ty, që të të le, jo kujtimin tim - sepse në qofsh edukuar siç është edukuar biri im, babai yt, ti kujtimin e gjyshit do ta mbash deri në vdekje - por që të të le diçka të qartë nga mendimet e mija. Dhe do të jem i lumtur në jetën tjetër, që unë vazhdoj ta quaj "të vërtetë", nëse do të të ndihmoj ndopak për të kaluar dallgët e jetës, pa u mbytur në to. Shpesh herë unë kam qenë duke u mbytur në dallgët e jetës sime dhe, në qoftë se do të shpëtoj deri në fund, këtë ia detyroj asaj dore që unë vazhdoj ta quaj "hyjnore".

Për presionet për rekrutim nuk na ke folë asnjëherë, për të mos na shqetësue, por i ke mbajtë për vedi. Vonë, shumë vonë, me ardhjen e demokracisë, fillove të më tregosh për atë stuhi që ke kalue. E ke lanë edhe në kujtimet e tua. Gjithnji mendoja: po sikur atë firmë për mosbashkëpunim ta kenë përdorë në kahun e kundërt? Por ja që doli e vërteta. Ata që ta morën firmën e dërguen te shefat e tyne për me tregue se ti nuk rekrutoheshe, nuk mund të baheshe spiun i tyne. Pasojat? Frika e madhe për vedi e për familjen të shoqnoi gjithë jetën. Sapo ndigjoje ndonjë batutë kundra regjimit, qoftë edhe nga pjesëtarët e familjes, e ndaloje bisedën ose dilje në dhomë tjetër.
Ma vonë erdhi stuhia e '67. Deshtën me të fundosë, por, siç duket, ndonjë urdhën nga nalt tha: "të vazhdojë të punojë". Dhe ti u zhyte gjithnji e ma thellë në botën e Shkrimtarëve të Vjetër, në shoqni me Buzukun, Bogdanin, me relacionet e Budit e Bardhit, në leximet e vështira të mbishkrimeve te vjetra të Arbërit etj. Dhe prej dorës tande dolën shumë punime e, sidomos, 10 vëllime me dokumenta të transkriptueme e të përkthyeme, një burim i pashterrshëm për historinë e mesjetës. Doemos, t'i sillnin të tjerët fotokopjet e mikrofilmat nga jashtë e ty, edhe pse të ftonin në konferenca të ndryshme, nuk të lanë asnjëherë të dilje nga Shqipnia.
Por, për ty kobi ma i randë ishte mbyllja e kishave, ndalimi i fesë. Nga muret e shtëpisë sonë u hoqën fuguret që u ruejtën në fundet e arkave. Na mësove si me u lutë në heshtje e si me e ba kryqin fshehtas në krahnor. Të lanë gjithë jetën në një shtëpi me katër familje në një korridor me një banjo të përbashkët. Me sa duket që me të kontrollue e me të mbikqyrë ma mirë. Punoje në një tavolinë të vogël, shpesh në prehën, i mbështjellë me një batanije në ditët e ftofta të dimnit. Por me punën tande e me heshtjen tande dijte me i përballue dallgët që të vinin nga të gjitha anët. Ishe në një pozicion shumë të veshtirë: për "ata"  matanë Adriatikut ti punoje për "këta", ndërsa për "këta" ti punoje për "ata". "Këta" të quejtën edhe "buburecë e zezë e Vatikanit".
Asnjëherë nuk ta njoftën laurën e Universitetit te Triestes; shkove pa marrë asnjë titull, megjithëse shumica të nderonin me titullin "profesor".
Kur erdhi demokracia kërkove takim dhe u rrëfeve me atin tand shpirtnor Atë Gardinin (që për mrekulli të Zotit ishte ende gjallë) dhe "ata" te besuen (sepse rrëfimi asht i shejtë) se ti nuk ishe përlye asnjëherë. Shpërtheve menjëherë në fillimet e viteve '90 me dy libra: "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" dhe "Fishta - koha, njeriu, vepra" e me artikuj të tjerë, derisa mbylle sytë.   Faleminderës Babë!   Këto fjalë i drejtohen edhe Nanës sonë të dashtun, që dijti me përballue, bashkë me ty, gjithë këto stuhi e të qëndroi gjithnji pranë.  Pushoni në paqë! Na keni lanë pasuninë ma të vlertë: ndershmërinë".

Jozefi

 
P.S: Këto fjalë mund t'i kishte shkrue secila nga pesë motrat e mija e, ndoshta, edhe ma mirë.

Shënimi ynë (RV): Kjo letër mund të nisej me këtë adresë, gjetur në Komedinë Hyjnore të Dantes: Injac Zamputtit, Parriz, Qielli i katërt i Diellit; pranë shpirtënve të ditun (e të pashitun).

Por, të rikthehemi tek pohimet e Jozefit, që sjell një fragment nga kujtimet Injac Zamputtit mbi mënyrën se si kërkuan ta rekrutonin. Nuk deshi ta botojë, derisa doli e vërteta e  dokumentuar:
“Viti 1949 ka qenë për mue ma i randi i jetës sime. Edhe vitet që do të vijnë nuk do të jenë ma të lehta për mue e për familjen time...  Në tetorin e atij viti të zi (por a pati pastaj ndonjë vit të bardhë për mue?) një djalë hyni në jetën time për me e bamë edhe ma të zezë.  Kur po shkoja rrugës në atë mbramje të errët, m'u afrue nga pas një hije si të ishte hija e trupit tim në rreze të hanës. Në një qoshe të rrugës, pranë ish pallatit te Zogut, hija lëshoi za. Ndalova dhe u gjeta ballë për ballë me atë djalë. Më ftoi që të shkoja me të në një drejtim tjetër. Në krye të rrugës së Barrikadave takuem në një burrë të pjekun që po na priste. Gjithë mirësi më vunë në mes dhe ecëm nëpër atë rrugë në të cilën nuk bante dritë asnjë llampë dhe hymë në rrugën Qemal Stafa e cila ishte gjithashtu në errësinë të plotë dhe vetëm dritat e dyqaneve ndriçonin ndopak. Nisën të thuheshin disa fjalë të pakuptimta për mue. Shumë vonë erdha në vete dhe kuptova humnerën ku donin me më plandosun. Sikurse lexuesi e ka kuptue, unë tashma isha mësue të ulja kokën. Por në atë mbramje të zezë puna kishte shkue në fije të penit. Harrova nanë, grue, motër e fëmijë dhe ndalova hapin i vendosun për mos me ecë një metër ma tej me ato dy hije që më ftonin të hyja në një apartament aty përballë. Kambëngulja ime mos me u bindë i tronditi shoqnuesit e mij që më dhanë me kuptue se, në raste të tjera, kishin dalë përherë fitues. Kur e panë se isha i vendosun edhe të vdisja por jo të bindesha, më detyruen të lëshoja një deklaratë se nuk e pranoja propozimin që m'u ba. Nuk pata asnji ngurrim. Në dritën e vitrinës së një dyqani shkrova fjalët që m'u diktuen, sigurisht me shprehjen negative për propozimin që m'u ba. Kjo deklaratë ndoshta do të gjendet në dosjen time të M.P.M. dhe, nëse do të dalë në dritë, do të shihet se nuk më asht dridhun dora kur e shkrova.   Hijet e asaj mbramje të zezë më kanë ndjekun gjithë jetën. Edhe sot në pleqninë time kur po thuhet se erdhën kohë të reja (1992), kujtimi i asaj mbramje më ban me u dridhë dhe më pengon që të them çdo gja me hollësi, sepse qeshë porositun me kërcënim që ta mbaja për vete atë propozim dhe, nëse jam gjallë ende, asht sepse fjalën e mbajta deri sot...

Përgatiti. Jozef Zamputti

Jetëshkrim i Injac Zamputtit

 
Lindi në Shkodër më 12.02.1910 në një familje të mesme. I jati, Romolo, me origjinë italiane, zyrtar poste, vdes shpejt pas një aksidenti duke e lënë jetim në moshën njëvjeçare së bashku me tri motra. E ëma, Nine, me origjinë nga malësia, nga Temali, i rrit këta fëmijë me mundime e sakrifica.
Studjon në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër ku shquhet per  korrektësi dhe rezultate shumë të mira. Prandaj, qysh në moshën 21 vjeçare mbahet në atë Kolegj ku jep lëndën e letërsisë shqipe si koleg i ri i Dom Ndre Mjedës. Merr pjesë në mjaft shfaqje teatrore, në fillim si nxenës e më vonë si drejtues. Po keshtu merr pjesë në shfaqje muzikore duke i rënë violinës si amator. Jep ndihmesë të madhe në revistën LEKA. Si mësues i ri dallohet në aktivitetet kulturore, artistike e sportive me nxënësit.
Ndër nxënësit e tij mund të përmendim: V.Stafën, L.Boriçin, Q.Stafën, S.Bekteshin etj. (Duhet shënuar se në atë Kolegj studionin edhe nxënës të besimeve të tjera).    Më 1937 martohet me një vajzë shkodrane, Rozën, nga familja e Prelajve, nga e cila pati 6 fëmije: 5 vajza e 1 djalë.    Ndërkohë mbaron universitetin me korrespondencë në Trieste ku doktorohet në shkenca politike e mbron temën historike: "700-a Veneciane dhe Shqipëria", pa e ditur se e ardhmja e jetës së tij do të ishte pikërisht  historia e mesjetës e Shqipërisë.   Pas mjaft shkrimeve, artikujve, poezive etj. në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, me 1940 boton vëllimin e parë me novela "Zemra njerzish"e më 1944 vëllimin e dytë me novela "Atje, nen hijen e Rozafës" dhe melodramin "Damjani himarjot".Në vitet e fundit në Kolegjin Saverian, së bashku e nën drejtimin e At Z.Valentinit, hedhin bazat e albanologjisë shqiptare e kjo do t'i shërbejë si bazë e mirë për studimet e mëvonshme historike të tij.
Pas luftës, më 1945, punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër e më pas, 1946-48, dërgohet në Gjirokastër si mësues letërsie në liceun e atij qyteti.    Me hapjen e Institutit te Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e historisë së mesjetës. Qëndron i vetëm në Tiranë deri më 1953 ku i jepet shtëpi vetëm me një dhomë, paradhomë e guzhinë për familjen me 10 vetë (nëna,  motra, gruaja e 6 fëmijët), me katër familje të tjera në një korridor e një banjo të përbashkët. Aty punoi e jetoi për 40 vjet e aty i shkroi veprat e tij herë në stol, herë në tavolinën e vogël e herë në prehër, duke u kërrusur gjithnjë e më shumë mbi dokumentat e historisë pa i trokitur në derë askujt.   Iu fut punës me pasion, sepse aty gjeti mënyrën për të shprehur intelektin e bagazhin e tij, për të mbajtur familjen e për të mbijetuar.   
Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërthen alfabetin
e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane.
Më pas boton librin "Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVI-XVII". Fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin  e  periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Ia sjellin këto dokumenta me mikrofilma e ai, nga fotokopjet, duke përdorur edhe lenten, i transkripton, i përkthen, i komenton e kështu boton disa vëllime në kuadrin e Institutit të Historisë me relacione, regjistra, shënime të ndryshme të asaj kohe. Ai vetë nuk u lejua asnjëherë të dilte nga Shqipëria për gjetjen e dokumentacionit apo për të marrë pjesë në simpoziume të ndryshme ku ftohej nga të huajt. Shkolla që kishte kryer, kultura që kishte marrë nga Jezuitët, kontaktet që kishte pasur para lufte e bënin person të dyshueshëm që duhej mbajtur nën mbikqyrje nga regjimi.    Kështu, me punën e tij të palodhshme, u mbush ai boshllëk i madh që ekzistonte në periudhën e historisë së Shqipërisë pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah organizimin e maleve për luftën kundër otomanëve, kuvendet  shqiptare, kontaktet me Europën tj.Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën "Studime historike". Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studjon mjaft hollësitë shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve shqiptarë Barleti e Beçikemi.
Të periudhës 1960-1990 janë:
l. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVII - vëll. I (1963)
2. Idem - vëll. II (1965)
3. Dokumenta të shek. XV për Historinë e Shqipërisë -pjesa e I (1967)
4. Idem - pjesa e II (1979)
5. Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417-(1977)
6. Dokumentet e shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë - vëll. I (1989)
7. Idem - vëll. II (1990)
8. Idem - vëll. III  (1989)
9. Idem - vëll. IV (1990) (me bashkautor S.Pulahën).
10. Dokumente për Historinë e Shqipërise të shek. XV - 1400-1405 (1987) (me bashkëautor L.Malltezin).
Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatese, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vëllime dokumentash numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet '50 e fillimet e viteve '60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime te gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen të botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e inçizuar nga studentët e ILA me 1965 qe drama "Guri i themelit" me temë mbi Kalanë e Rozafatit. Vijnë vitet e zeza 1967-68- revolucioni  kulturor - e ai është në shënjestër për ideologjinë fetare, por mbahet prapë në Institut sepse dokumentacioni i mesjetës do të mbetej edhe përshumë kohë pa u lexuar nga askush. E ai gjithnjë me pasion, i mbyllur në shtëpi, vazhdon e punon duke jetuar me botën e Budit, Bogdanit, Bardhit etj. Asnjëherë nuk ia njohën titullin doktor e laurën e Triestes, megjithëse pothuajse të gjithë e thërrisnin: "Profesor".  Në fundin e viteve '80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 "Burgimet e mija" të P. Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme. Ftohet edhe në një emision televiziv kushtuar figurës së atij rilindasi.
Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e "Mbishkrimit të Arbërit" e "Mbishkrimit të Brarit" të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurëthemeli në historinë e popullit  shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: "Fishta - koha, njeriu, vepra" dhe "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" (1993).    Në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën HYLLI I DRITËS për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, per aksionin kolonizues te Dionisit e luftrat iliro-romake.
Më 1995 nga Presidenti i Republikës i jepet dekorata "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencavë albanologjike". Mbylli sytë më 28.02.1998 në Tivoli të Italisë dhe, sipas porosisë së tij të fundit, eshtrat e tij prehen në varrin e familjes në Tiranë, në Shqipëri, në atë vend, historisë së të cilit i kushtoi jetën dhe veprimtarinë e tij.
P.S. Vetëm gjatë periudhës së diktaturës e ka shkruar mbiemrin me një t: ZAMPUTI,  por deri me 1944 e në të gjithë regjistrat e gjendjes civile mbiemri shkruhet me dy t: ZAMPUTTI.







All the contents on this site are copyrighted ©.