2009-12-10 16:50:21

Ipeshkvijtë e Irlandës: kërkojmë të falur për abuzimet seksuale.


(10.12.2009 RV)Në prag të audiencës që ipeshkvijtë irlandezë zhvillojnë nesër me Papën Benedikti XVI, konferenca ipeshkvnore irlandeze reflekton mbi abuzimet me të miturit të kryera nga ana e disa meshtarëve të kryeipeshkvisë së Dublinit. Pikërisht këto akte të shëmtuara ishin në qendër të diskutimeve të takimit dimëror të prelatëve irlandezë zhvilluar dje dhe sot në qytetin Majnoth. Dje, ipeshkvijtë e vendit dolën me një komunikatë ku kërkojnë të falur publikisht për abuzimet me të miturit.
Gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua raporti i komisionit qeveritar të hetimeve mbi abuzimet që kanë ndodhur në kryeipeshkvinë e Dublinit dhe që është bërë publik me 26 nëntorin e kaluar. “Ne, - lexohet në një deklaratë e djeshme të ipeshkvijve, - i kërkojmë të falur të gjithë atyre me të cilët meshtarët kanë abuzuar: fëmijëve, familjeve të tyre dhe të gjithë personave që me të drejtë e ndjejnë veten të indinjuar dhe të zhgënjyer nga mungesa e autoritetit moral dhe e përgjegjësisë që del nga raporti qeveritar.”
Si përgjigje e parë ndaj këtij raporti, - thuhet në komunikatë, - kemi vendosur t’i paraqesim një kërkesë Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e të miturve në Kishën Katolike, që të shqyrtojë, së bashku me organet qeveritare dhe autoritetet kompentente, në mënyrë që masat e marra nga Kisha Katolike në lidhje me tutelimin e të miturve të jenë optimale dhe akuzat për abuzime të trajtohen në mënyrë të përshtatshme”.
Më tej konferenca ipeshkvnore irlandeze ripohon se është “thellësisht e tronditur nga përmasat e abuzimeve ashtu siç përshkruhen në raport.” Ipeshkvijtë ndihen të turpëruar për mënyrën sesi Kryeipeshkvia e Dublinit i ka mbuluar këto abuzime seksuale me të mitur, duke theksuar se ky fakt tregon se kjo lloj praktike ishte e përhapur në Kishën irlandeze. “Shmangia e skandalit, lexohet më tej në deklaratën e ipeshkvijve irlandezë, - dhe ruajtja e reputacionit të disave dhe të Kishës morën përparësi e kështu siguria dhe mirëqenia e fëmijve doli në plan të dytë. Këndej buron edhe keqardhja e thellë e prelatëve sepse “kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk duhet lejuar që të ndodhë kurrë më.”
Më poshtë, në këtë deklaratë, ipeshkvijtë nënvizojnë se “raporti qeveritar ngre shumë probleme të rëndësishme për Kishën në Irlandë, përfshi edhe funksionimin e Konferencës Ipeshkvnore dhe mënyrën sesi besimtarët laikë mund të përfshihen aktivisht në jetën e Kishës”. Ndërsa në lidhje me mbajtjen të fshehtë të këtyre skandaleve, prelatët pohojnë kategorikisht se nuk ka justifikime “për ta fshehur të keqen”. “Dashuria, e vërteta, integriteti i personit dhe transparenca – pohon Konferenca Ipeshkvnore duhet të jenë pikat e referimit të komunikimit tonë.” Në fund, duke kërkuar që të lutemi përvujtërisht për të gjithë ata që kanë qenë viktima të abuzimeve, deklarata kujton se nesër me 11 dhjetor, kardinali Shon Bredi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Irlandeze dhe Imzot Diarmyd Martin, kryeipeshkëv i Dublinit, do të priten në audiencë nga Papa, me ftesën e vetë Benediktit XVI “për ta informuar atë dhe për të vlerësuar gjendjen e dhimbshme të Kishës në Irlandë pas publikimit të raportit qeveritar të Komisionit Marfi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.