2009-12-09 18:41:22

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Ankth”.


(09.12.2009 RV)Bota jonë, me fuqinë e ligështitë e veta, me progresin e krizat, shpresat e ankthet, është në pritje të hirit shëlbues të Hyjit. Pret një vezullim, që e bën natën ditë. Është drita e Krishtit Fëmijë. Duke u dukur mes nesh, Zoti davarit ankthin e njerëzve, që vijojnë të jetojnë nën hijen e vdekjes.
E pikërisht “ankthit”, që s’e le të qetë shpirtin e njeriut e shpresës për të shpëtuar prej tij, i kushtohet emisioni i dhjetë i rubrikës “Shtigjeve të Krishtlindjes”:

“Nuk ka errësirë aq të dendur
që rrezja e dritës s’e çan.
Këtë e di mirë
kulla e vrojtimit
që agun pret e vrojton
si lind një ditë e re!”.

E Krishti, nga Ungjilli i Mateut, na fton:

“Ejani tek unë të gjithë ju,
që jeni të lodhur!
E unë do t’ju çlodh!”.
Mt. 11,28-30

“Ka ditë që ngrysen errshëm.
Mes ditës e ditës
shtrihet pa fund nata plot ankth,
si gjëma e motit.
Zemra nuk është e fortë, sa koha,
n’parzëm ngujuar,
pëlcet si zog pa fletë.
Zhytur në errësirë
Njeriu vetveten pyet:
“Pse të zgjohem?
Pse të shpresoj?
E pse u dashka të jetoj?
Njeriu puth vdekjen në buzët e ngrira
e nis loton në zgavërr të syrit të saj!
Si Jobi këlthet nëpër natë:
“Ç’kërkoj unë këtu?
Ç’kuptim ka të jetoj?
Vëlla, këto ditë e netë
ti lëshoja frerin zemrës!
Jepu shfrim lotëve...
Por sidomos kujto
Fjalët e Mësuesit:
“O ju, që vuani
që shtypeni nën thembër
t’njeriut të padrejtë,
mos u dëshpëroni!
Asgjë nuk ka marrë fund,
gjithçka mund të rifillojë.
Shpresa është rrugë e larë me dritë.
Ajo çel shteg
dhe në natën më të errët!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.