Letra e klerit kinez: fazë tranzicioni ndërmjet Kinës e Vatikanit.
(09.12.2009 RV)“Në Kinë, bashkësia katolike e ndjen veten të mbështetur e të
inkurajuar nga Kisha e Romës. Letra e kardinalit Bertone drejtuar meshtarëve kinezë
me rastin e Vitit Meshtarak e ajo e Bendiktit XVI, katolikëve, në vitin 2007, konfirmojnë
mirëkuptimin dhe dashurinë e Papës e të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit për Kishën
e vendit aziatik”. Kështu shkruajnë, në një letër, botuar nga Agjensia Fides, disa
ipeshkvij e meshtarë kinezë, duke nënvizuar se, pas përhapjes së tekstit të Atit të
Shenjtë, atmosfera e tensionit u zbut në mënyrë të ndjeshme. Gradualisht erdhi duke
u krijuar një frymë pajtimi e, ndonëse duhet kohë për të arritur në bashkimin e plotë,
rruga e dialogut dhe e bashkëpunimit tashmë është e hapur. Vërtetë duhet kohë
për normalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Kinës – pohojnë klerikët – por
nuk mund të mos theksojmë se nisi periudha e tranzicionit e se duhet të përgatitemi
para se marrëdhëniet të normalizohen, sepse në këtë udhë pajtimi – nënvizojnë – mund
të lindin mosmarrëveshje e probleme të reja. Prandaj nuk duhet të vijojmë diskutimin
se kush ka të drejtë e kush jo. Siç shkruan edhe kardinali Bertone – pohojnë klerikët
kinezë – vëmendja duhet përqendruar tek “Kryemeshtari, Jezu Krishti” e tek shembulli
i Shën Gjon Maria Vianejt. Prelatët e meshtarët kinezë nënvizojnë detyrat kryesore,
që u dalin përpara, për të cilat flitet në Letrën e Papës e në atë të kardinalit Bertone.
Duhen kultivuar virtytet meshtarake, duhet promovuar formimi i njerëzve e duhet organizuar
më mirë bashkësia e Kishës. Përballë fenomeneve të reja e problemeve të reja, që duhet
të përballojë sot Kisha katolike në Kinë, Letra e sekretarit të Shtetit të Vatikanit,
me shpesën e saj të ndritur, tregon edhe drejtimin e qartë, në përkim të plotë me
përshpirtërinë dhe mendimim teologjik të papëve. Ripohon, njëkohësisht, parimin dhe
drejtimin e dialogut e të pajtimit, lidhur me rrethanat aktuale dhe me zhvillimet
e reja në marrëdhëniet ndërmjet Kinës e Vatikanit. Meshtarët kinezë – vijojnë të shkruajnë
disa ipeshkvij e meshtarë të vendit aziatik – u inkurajuan shumë nga porositë e Shën
Gjon Vianejt e nga ftesa e tij, që ngjall shpresa të reja”. Kujtojmë se në Letrën,
që ua drejtoi me rastin e Vitit Meshtarak, Hirësia e Tij i ftoi meshtarët kinezë të
ndjekin shembullin e Famullitarit shenjt të Arsit, që diti të dialogojë me të gjithë,
sepse ishte njeri i lutjes”.