2009-12-09 18:39:45

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar murgut mesjetar Ruperti: Zoti është i durueshëm e dashamirës edhe atëherë kur njeriu e përdor keq lirinë e tij


(09.12.2009 RV)Murgu benediktin i shekullit XII, Ruperti i Dojcit, ishte në qendër të vëmendjes së katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Papa kujtoi mësimet kryesore të këtij murgu, një nga teologët më të rëndësishëm të kohës së vet, duke u ndaluar posaçërisht tek ato, që lidhen me rolin e Papës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve teologjike mbi Sakramentin e Eukaristisë e mbi praninë e së keqes në histori.

“Murgu mesjetar diti të bashkërendojë studimin racional të mistereve të fesë me lutjen e kundrimin, që është maja më e lartë e njohjes së Zotit”. Kështu e përmblodhi Benedikti XVI veprën e murgut benediktin Ruperti. Papa nënvizoi, në mënyrë të posaçme, se teologu i madh shquhej për ndershmërinë e tij të pacënuar si dhe për lidhjen e pazgjidhshme me Selinë e Shën Pjetrit. Në kohën e tij – vijoi Benedikti XVI – kishte kontraste të theksuara ndërmjet papatit e perandorisë, që morën pamjen e ndeshjes, e cila u bë e njohur si ‘lufta për ipeshkvijtë’. Ishte pra ndeshje e ashpër ndërmjet dy palëve: papatit e perandorisë. Të dyja palët pretendonin parinë në zgjedhjen dhe në shugurimin e ipeshkvijve:
Ruperti na mëson se, kur lindin mosmarrëveshje në Kishë, mbështetja tek Papa garanton besnikërinë ndaj doktrinës së drejtë dhe i jep shpirtit paqe e liri”.
Ruperti – vijoi Papa – la shumë vepra, me interes të madh edhe për ditët tona. E kjo, sepse mori pjesë gjallërisht në shumë diskutime të rëndësishme teologjike të kohës. Për shembull, ndërhyri vendosmërisht në mosmarrëveshjen eukaristike, lindur në gjirin e Kishës, për të kundërshtuar shpjegimin, që e kufizonte praninë e Krishtit në Sakramentin e Eukaristisë. Ruperti – pohoi Papa – mbrojti vendosmërisht të vërtetën eukaristike, duke pohuar se Korpi i Fjalës së Mishëruar, i Krishtit, është i pranishëm nën Trajtën eukaristike të bukës e të verës. E këtu Papa, duke u shkëputur nga teksti zyrtar, vuri theksin mbi vlerën e madhe aktuale, që ka mësimi i murgut Rupert mbi Eukaristinë:
Edhe sot ekziston rreziku për ta kufizuar realizmin eukaristik, duke e konsideruar gati-gati si të ishte thjesht rit kungimi, shoqërizimi. Harrojmë tepër shpejt se në Eukaristi Krishti i ngjallur është i pranishëm me të vërtetë, me Korpin e tij të ngjallur, që lëshohet në duart tona, për të na nxjerrë nga vetvetja e për të na bërë një trup i vetëm me Korpin e tij të pavdekshëm, duke na prirë, kështu, drejt jetës së re”.
Një mosmarrëveshje tjetër, për zgjidhjen e së cilës u përpoq murgu mesjetar, ishte edhe ajo e pajtimit të mirësisë e të gjithëpushtetit të Zotit, me ekzistencën e së keqes. Ruperti u kundërvihet të gjithë atyre që, duke u mbështetur në arsyetime filozofike, arrinin në përfundimin se Zoti e lejon të keqen, pa e miratuar e, prej këndej, edhe pa e dëshiruar. Në këtë rast Ruperti – shpjegoi Papa – heq dorë nga filozofia, të cilën e gjykon si të papërshtatshme, përballë një problemi kaq të madh, duke i qëndruar besnik rrëfimit biblik:
“Ai niset nga mirësia e Zotit, nga e vërteta se Zoti është e mira e pambaruar e nuk mund të dojë tjetër, veç së mirës. Kështu ai e zbulon zanafillën e së keqes tek vetë njeriu e tek përdorimi i gabuar i lirisë njerëzore”.
Ruperti – tha në vijim Papa – e lavdëron mëshirën e pambaruar të Atit, duresën e dashamirësinë e Hyjit për njerëzimin mëkatar. Ashtu si teologët e tjerë të Mesjetës – vërejti Ati i Shenjtë – edhe Ruperti i bëri vetes pyetjen e madhe: “Pse u mishërua Fjala e Zotit?”. Përgjigjja e kësaj pyetjeje e çoi tek vizioni ‘kristocentrik i shëlbimit’, që është në qendër të veprës së tij, titulluar “Lumnimi i Trinisë Shenjte”. Murgu benediktin…:
“Mbron tezën se Mishërimi , ngjarje qëndrore e gjithë historisë, qe parashikuar në amshim, pavarësisht nga mëkati i njeriut, me qëllim që mbarë krijesa të mund t’i jepte lumni Hyjit Atë e ta donte, si një familje e vetme, e mbledhur rreth Krishtit, Birit të Hyjit”.
Atëhere ai – vijoi Papa – shikon në gruan shtatzënë të Zbulesës, mbarë historinë e njerëzimit, që shkon drejt Krishtit, ashtu si zënia shkon drejt lindjes. Krishti – pohoi Ati i Shenjtë – është gjithnjë në qendër të shpjegimeve ekzegjetike, që jep Ruperti në komentet e tij për Librat e Biblës:
“Ai rigjen, kështu, unitet mahnitës në të gjitha ngjarjet e historisë së shëlbimit, duke nisur nga krijimi e deri në mbarimin e kohëve: ‘I gjithë Shkrimi Shenjt – pohon ai - është një libër i vetëm, që shkon drejt të njëjtit fund, drejt Fjalës Hyjnore”.
Duhet theksuar, pastaj, se Ruperti nuk kufizohet vetëm duke përsëritur mësimin e Etërve të Kishës, por sjell edhe shumë mendime të reja. Për shembull, është i pari që pa Virgjërën Mari në Vashën e “Këngës së Këngëve”. Ky shpjegim marian i “Këngës së Këngëve” – vërejti Papa – është një shembull i qëlluar i përkimit të teologjisë me liturgjinë. Për Rupertin – shtoi Benedikti XVI – Maria është pjesa më e shenjtë e mbarë Kishës.
E për Virgjërën Papa foli edhe në çastin e përshëndetjes me shtegtarët:
“Solemniteti i Zojës së Papërlyer, që e kremtuam dje, na kujton se Maria e pranoi në mënyrë shembullore planin shëlbues të Zotit. Të dashur të rinj, përpiquni t’i përngjisni me zemër të pastërt e të kulluar, duke e lënë Zotin t’ju japë formë, që kështu të mund të kryejë edhe në ju vepra të mëdha!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.