2009-12-09 18:51:24

Benedikti XVI: jetëshkrim i shkurtër i Rupertit të Dojcit


(09.12.2009 RV)Quhej Ruperti i Dojcit. E Dojci ishte një qytezë pranë Këlnit, seli e manastirit të famshëm benediktin.
Ruperti vetë na flet për jetën e tij në një nga veprat më të rëndësishme, titulluar “Lavd e nder Birit të njeriut”, koment i pjesshëm i Ungjilit sipas Mateut.
Ishte ende fëmijë, kur u pranua në manastirin benediktin të Shën Lorencit pranë Liezhit, sipas zakonit që kishin familjet e mëdha të kohës për t’ia besuar bijtë murgjërve benediktinë, duke e pasur në mend t’ia dhuronin, më pas, Zotit. Rupertit i pëlqente pa masë jeta murgare. Shumë shpejt mësoi gjuhën latine. Nisi të studionte me zell Biblën e të ndjente thellësisht kënaqësinë, që buron nga kremtimet liturgjike.
Iu desh të merrte pjesë drejtpërdrejt në mosmarrëveshjet ndërmjet Kishës e perandorit për emërimin dhe shugurimin e ipeshkvijve. I lidhur ngushtë, siç ishte, me Selinë e Shën Pjetrit, iu kundërvu ipeshkvit të Liezhit, Otbertit, që vepronte në kundërshitim me direktivat e Papës. Ipeshkvi e internoi, së bashku me abatin e tij, Berengarion, edhe ky besnik i Papës. U rikthye në manastirin e vet vetëm atëherë, kur ipeshvi Otberti u pajtua me Papën. E menjëherë pas kësaj ngjarjeje, u shugurua meshtar. E nisi kaq vonë misionin meshtarak thjesht sepse nuk deshi të shugurohej nga një ipeshkëv që i kundërvihej Papës.
Por, për fat të keq, ravgimet e tij nuk mbaruan me kaq. Iu desh të largohej edhe dy herë të tjera nga manastiri. Në vitin 1116, kundërshtarët e tij arritën deri atje, sa deshën ta hidhnin në gjyq. Ndonëse akuzat nuk u vërtetuan e ai doli krejt i pafajshëm, iu duk më e arsyeshme të vendosej për ca kohë në Siegburg. Më pas, si u kthye përfundimisht në Gjermani, në vitin 1120 u emërua abat i Dojcit, ku vijoi të kryente misionin derisa vdiq, në fund të vitit 1129. U largua që aty vetëm një herë, kur shtegtoi në Romë, në vitin 1124.
Shkrimtar prodhimtar, na la një numër të madh veprash, ndërmjet të cilave “De divinis officiis”, ku mbrojti vendosmërisht të vërtetën eukaristike, duke pohuar se Korpi i Fjalës së Mishëruar, i Krishtit, është i pranishëm nën Trajtën eukaristike të bukës e të verës. Shkroi edhe ‘De glorificatione Trinitatis et processione Sancti Spiritus” ; “Canticum Canticorum” ; “Apocalypsem” e disa vepra të tjera, që mbeten gjithnjë aktuale.
Në komentin e ‘Këngës së Këngëve” shkruan për Zojën e Bekuar:
“O më e dashura ndërmjet të dashurave, Virgjër e virgjëreshave, ç’lavdëron në ty yt Bir, që të këndojnë, kështu, koret e Engjëjve të Qiellit? Engjëjt i thurin lavde thjeshtësisë sate, pastërtisë, pafajsisë, fesë, ndrojtjes, përvujtërisë, mendjes, zemrës, virgjërisë sate të papërlyer”.
Ruperti mbetet aktual. Na mëson si mund ta takojmë Jezusin, që na shoqëron vazhdimisht, duke u bërë i pranishëm në Bukën eukaristike e në Fjalën, të cilën na e drejton çdo ditë, për shëlbimin tonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.