2009-12-08 18:36:10

“Maria na kujton se aty ku sundon mëkati, hiri është shumë më i begatshëm”. Kështu tha Papa në Sheshin e Spanjës në Romë para shtatores së Zojës së Papërlyer.


(08.12.2009 RV)Sot pasdite në ditën e festës së madhe së Zojës së Papërlyer Papa Racinger shkoi për të nderuar Zojën e Papërlyer që gjendet në Sheshin e Spanjës në pjesën më karakteristike të Romës.Përveç besimtarëve të shumtë, kishin dalë për ta pritur kardinali vikar Agostino Valini dhe kryetari i bashkisë së Romës Xhani Alemano.
Papa bekoi një shportë me drandofille që u vendosën tek këmbët e obeliskut në majë të të cilit qëndron shtatorja e Zojës së Papërlyer. Kurse sot në mëngjes, siç është tradita, një skuadër zjarrfikësisht romak vendosi mbi kokën e Zojës së Papërlyer një kurorë me lule, në shenjë falenderimi e mirënjohje për dashruinë amnore të Nënës Qiellore.
Pas dite, gjatë fjalës së tij Papa Racinger kujtoi se sa shumë ndihmon Zoja e Papërlyer në jetën e qytetit të Romës e sa shumë kemi nevojë të gjithë ne për të:

Të dashur vëllezër e motra,
Në zemrën e qyteteve të krishtera, Maria është e pranishme e na jep siguri e ëmbëlsi. Me mënyrën e saj të veçantë na jep të gjithëve paqë dhe shpresë në çastet e gëzuara dhe të trishtuara të jetës sonë.
....
Por çfarë domethënie ka Maria për qytetin? Çfarë i kujton ajo të gjithë neve me praninë e saj? Na kujton se “aty ku sundonte mëkati hiri qe shumë më i begatshëm” siç thotë Shën Pali. Ajo është Nëna e Papërlyer që iu thotë edhe njerëzve të kohës sonë: Mos kini frikë. Jezusi e ka mundur të keqen. E ka mundur që në rrënjë duke na çliruar nga sundimi i saj.

Më pas Ati i Shenjtë Benedikti XVI u ndal tek rëndësia dhe cilësia e lajmeve që marrim çdo ditë në jetën tonë:

Sa shumë kemi nevojë për këtë lajm të mirë! Çdo ditë, në fakt, nëpërmjet gazetave, televizionit, radios, e keqja tregohet, rrëfehet, përsëritet e përforcohet duke na mësuar me gjërat më të tmerrshme, duke na bërë të pandjeshëm e madje edhe duke na helmuar, deri në njëfarë mase, sepse e keqja nuk harrohet, por grumbullohet ditë për ditë. Zemra bëhet gur dhe mendimet bëhen të zymta. Prandaj qyteti ka nevojë për Marinë, që me praninë e saj na flet për Zotin, na kujton fitoren e Hirit mbi mëkatin dhe na bën të shpresojmë edhe atëherë kur jemi në situata të vështira.

Më tej Ati i Shenjtë u ndal tek mesazhi që përcjellin mjetet e komunikimit sot në jetën tonë të përditshme dhe sesa pak respekt tregojnë për njeriun:

Në qytet jetojnë, ose mbijetojnë, individë të padukshëm që çdo ditë dalin në plan të parë të gazetave apo të ekraneve të televizionit dhe shfrytëzohen deri në fund, derisa lajmi dhe pamjet të tërheqin vëmendjen. Është ky një mekanizëm i mbrapshtë të cilit, fatkeqësisht nuk i bëjmë ballë sa duhet. Qyteti fillimisht fsheh e pastaj ia shfaq gjithçka publikut pa mëshirë ose me një mëshirë të rrejshme. Por në çdo njeri ekziston dëshira të pritet si i tillë dhe të konsiderohet si një realitet i shenjtë, sepse çdo histori njerëzore është një histori e shenjtë dhe kërkon respektin më të madh.

E pikërisht këto ditë, kur po flitet aq shumë për ndotjen e mjedisit, Papa Racinger vuri theksin tek ndotja e shpirtit:

Shpesh ankohemi për ndotjen e ajrit e se në disa zona të qytetit nuk mund të marrish më frymë. Është e vërtetë: duhet më shumë impenjim nga të gjithë për ta bërë qytetin më të pastër. Por megjithatë ka një ndotje tjetër, më pak të kapshme për shqisat, por pa aq të rrezikshme: është ndotja e shpirtit. Kjo është ajo që e zvogëlon buzëqeshjen në fytyrat tona, na bën më të zymtë aq sa, as nuk e përshëndesim më njëri-tjetrin.

Në përfundim Papa falenderoi edhe një herë Zojën e Papërlyer për mesazhin e shpresës që Ajo sjell me vete:

Të faleminderojmë oj Nënë e Shenjtë për këtë mesazh shprese. Të faleminderojmë për praninë tënde të heshtur po që thotë shumë në zemër të qytetit tonë, Romë. Oj Zojë e Papërlyer “Shëndeti i popullit romak”, lutu për ne”, Amen!".







All the contents on this site are copyrighted ©.