2009-12-08 17:30:15

“Maria - ylli që na drejton nga Krishti”. Kështu tha Papa gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot në ditën e Festës së Zojës së Papërlyer.


(08.12.2009 RV)“Kur ndihemi të ligësht dhe e keqja na vë në provë, po qe se i drejtohemi Marisë ajo na jep dritë e na ngushëllon. Kështu tha sot Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot në ditën e solemnitetit të Zojës së Papërlyer. Papa e quajti festën e sotme si një nga “festat më të bukura kushtuar së Lumes Virgjër Mari”.

Papa: Të dashun miq, çfarë gëzimit i madh të kesh për nënë Zojën e Papërlyer!”. Sa herë që shohim sesa të ligësht jemi dhe e keqja na vë në provë, mund t’i drejtohemi Asaj dhe atëherë zemra e jonë mbushet plot dritë e ngushëllim.

“Edhe në provat e jetës, në stuhitë që e bëjnë Fenë dhe Shpresën të lëkunden, - thotë Papa- të mendojmë se jemi bijtë e saj dhe se rrënjët e ekzistencës sonë janë thellë në hirin e pafund të dashurisë së Hyjit”. Kisha vetë – shtoi më pas Papa Benedikti XVI – edhe pse është e ekspozuar ndaj ndikimeve të mbrapshta të botës, gjen gjithmonë tek Maria yllin që na rrëfen rrugën për të ndjekur Krishtin:

Papa: Maria në fakt është Nëna e Kishës, siç e kanë shpallur solemnisht Papa Pali VI dhe Koncili II Vatikanas. E ndërsa falenderojmë Zotin për këtë shenjë të mrekullueshme të mirësisë së Tij, ia besojmë Virgjërës së Papërlyer secilin prej nesh, familjet e bashkësitë tona, gjithë Kishën dhe të gjithë botën....

Më pas Papa shpjegoi domethënien e titullit “Virgjër e Papërlyer” duke iu referuar teksteve biblike të liturgjisë së sotshme, e pikërisht kapitullit të tretë të Librit të Zanafillës dhe tregimit të kumtimit të Lajmit të Mirë simbas Ungjillit të Lukës. Papa përmendi Librin e Zanafillës, ku mbas mëkatit origjinal, Zoti i drejtohet gjarpërit që përfaqëson djallin. Zoti e mallkon por ama shton edhe një premtim:
“Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas / ndërmjet farës sate e farës së saj. Fara e saj do të ta shtypë kokën, / kurse ti do t’ia sulmosh thembrën.” (Zn. 3,15) Papa më pas tha se ky është edhe paralajmërimi i fitores:

Papa: “djalli, në fillim të zanafillës së botës mendon se po fiton, por do të vijë djali i një gruas që do t’ia shtypë kokën. E kësisoj, nëpërmjet gruas, Zoti vetë do të fitojë. Ajo grua është Virgjëra Mari që lindi Jezu Krishtin, i cili me sakrificën e vet shpartalloi njëherë e përgjithmonë tunduesin e vjetër. Prandaj në shumë piktura apo statuja Zoja e Papërlyer paraqitet duke shkelur me këmbë një gjarpër.”

Ungjilltari Lukë na paraqet Virgjërën Mari që merr Lajmin e Mirë të Kryengjëllit Gabriel dhe në lidhje me këtë Papa vuri në dukje:

Papa: Ajo na shfaqet si një bijë e përvuajtur dhe e vërtetë e Izraelit, të Sionit të vërtetë ku Zoti do të vendosë banesën e tij. Ajo është lastari prej nga do të lindë Mesia, Mbreti i drejtë dhe i mëshirshëm. Në thjeshtësinë e shtëpisë së Nazaretit jeton “pjesa” e pastër e Izraelit, prej së cilës Zoti don ta bëjë të rilindë popullin e vet, si një pemë e re që do t’i shtrijë degët e veta mbi të gjithë botën, duke iu ofruar të gjithë njerëzve frytet e mira të shëlbimit.

Ndryshe nga Adami dhe Eva, vijoi më tej Papa Racinger – Maria është e bindur dhe i mbetet besnike vullnetit të Zotit. Ajo me plot gojë thotë “po” dhe vihet plotësisht në dispozicion të planit hyjnor”. “Ajo është Eva e re, – nënvizoi Papa – “nëna e të gjithë njerëzve”, domethënë e të gjithë atyre që nëpërmjet besimit në Krishtin marrin dritën e jetës së pasosur.

Pas uratës mariane, mendimi i Papës iu drejtua Akademisë Papnore të Zojës së Papërlyer:

Papa: Edhe këtë vit, në këtë përvjetor të sotëm, përshëndes me gëzim Akademinë Papnore të Zojës së Papërlyer, drejtuar nga Kardinali Andrea Maria Deskur. I dashur z. Kardinal, të dashur miq, po ia besoj me dashuri secilin prej jush dhe punën tuaj mbrojtjes prej nëne të Virgjërës Mari.

 
Më tej Papa kujtoi edhe Veprimin Katolik, sepse sot në shumë famulli përsëritet premtimi i kësaj organizate në Kishën Katolike. Në veçanti Papa iu dha zemër edukatorëve të Veprimit Katolik për të Rinj, të cilët ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në përfundim të takimit të tyre të përvitshëm. Atyre Papa iu tha të mos kursehen dhe të punojnë pa u lodhur për edukimin e të rinjëve me fé nëpërmjet dëshmive të gjalla.
Në fund të Lutjes së Engjëllit të Tenzot, Ati i Shenjtë bëri përshëndetjet në gjuhët e ndryshme. Në frëngjisht tha se duhet ta lejojmë Marinë të na shoqërojë “në rrugën drejt kthimit në fé dhe të kërkimit të shenjtërisë”.
Në anglisht urimi që të gjithë të dinë të udhëhiqen nga shembulli i Marisë, të jenë besimtarë në hirin e Zotit dhe të bëjnë një jetë të shenjtë. Në spanjisht Papa iu drejtua Zotit me një uratë në mënyrë që nëpërmjet “Hirplotes” të na japë dhantinë që të pastrohemi shpirtërisht gjatë kësaj kohe Ardhjeje, që pastaj ta presim Jezusin siç duhet.
Në pas në gjuhën polake Papa Raciger u lut që Virgjëra Mari të na drejtojë nga rruga e pastrisë, e përvujtërisë dhe që të na mësojë si t’ia besojmë Zotit të gjitha ngjarjet e jetës sonë.
Në fund Papa Benedikti XVI përshëndeti shtegtarët italianë që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit:

Papa: Përshëndes në fund edhe shtegtarët italianë në veçanti të rinjtë nga Imola së bashku me famullitarin dhe katekistët që i kanë përgatitur për Krezmim. Po ashtu edhe besimtarët dhe ata që marrin Krezmimin nga Kalçinate dhe grupin e “Radio Xeta” të Karavaxhos. Të gjithë iu uroj gëzuar festën e Marisë së Papërlyer.







All the contents on this site are copyrighted ©.