2009-12-07 12:35:44

Sot me 7 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Ambrozin, ipeshkëv e dijetar i Kishës


(07.12.2009 RV)I jashtëzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej.
I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë.
Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali. Më pas u transferua përfundimisht në Milano. Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.
Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.


Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos.
Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.
E me 24 tetor 2007, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin shkëputur nga dëshmia e jetës:
 “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.

Të shumta janë veprat e shën Ambrozi:

Veprat mbi Shkrimin Shenjt
Veprat egzegetike:
a) Shpjegimi i Ungjillit sipas Lukës. Kjo vepër ka vlerë shpirtërore dhe dogmatike. Në këtë vepër ruhen edhe disa fletë të kushtuara Zonjës së Bekuar, duke e pasur parasysh se vetëm në Ungjillin sipas Lukës shkruhet mbi Zonjën.
b) Hexaemeron – Mbi gjashtë ditët e krijimit. Kjo është një vepër e ndarë në gjashtë vëllime dhe përfshin nëntë fjalime të mbajtura në Javën e Madhe. Në këto fjalime vërejmë se Ambrozi i çmon shumë Origenin dhe Bazilin, por shën Ambrozi thellohet shumë me tepër në mendimet e tyre.
c) De paradiso – Mbi parajsën. Kjo vepër është një komentim mbi parajsën e tokës dhe ramjen e njeriut të parë. Këtu ka edhe raste kur polemizon me gnostikët, maniheistët dhe arianët, sekte të ndryshme të asaj kohe.
Ambrozi ka edhe vepra tjera që i përkasin kësaj lëmie, por që janë ndoshta më pak të rëndësishme.

Veprat morale asketike:
a) De officiis ministrorum – Mbi detyrat e njerëzve të Kishës. Vepra është shkruar sipas modelit të Ciceronit. Kjo vepër ndahet në tri pjesë: në pjesën e parë Ambrozi flet për ndershmërinë si virtyt nga i cili rrjedhi urtia, drejtësia, forca. Pjesa e dytë flet mbi interesat, vlerat njerëzore, për ta përmbyllur me mendimin se e vlefshme është çdo gjë që e përcjell dashuria, butësia, mirësia dhe lëmosha. Në pjesën e tretë Ambrozi mundohet të argumentojë lidhjen e ngushtë në mes nderit dhe vlerave tjera jetësore. Shën Ambrozi mendon se i krishtëri duhet t`i japë rëndësi të veçantë nderit. Nëse është nevoja, i krishteri edhe me jetë duhet të paguajë për mos ta çnderuar besimin në Zotin. A thua nuk vepruan kështu edhe martirët para nesh?
Ambrozi shkruan edhe disa vepra mbi virgjërinë.

Veprat dogmatike:
a) De fide, ad Gratianum – Mbi fenë, drejtuar Gracianit. Graciani ishte perandor dhe kërkon nga Ambrozi që të shkruajë mbi fenë, për ta mbrojtur atë prej heretikëve, gjegjësisht të shkruajë për hyjninë e Fjalës së mishëruar. Vepra ka pasur pesë vëllime. Ambrozi argumenton se Biri është i njëgjëjtë me Atin, dhe se Ai nuk ka pasur fillim dhe nuk ka mbarim. Biri nuk është i krijuar. Ai është i mirë sikurse Ati dhe është Zot i vërtetë. Biri nuk ka hyjni tjetër veçse të njejtë sikurse ka edhe Ati.
b) De Spiritu Sancto – Mbi Shpirtin Shenjt. Qëllimi këtij shkrimi ishte, sikurse vepra e parë, argumentimi i hyjnisë së Shpirtit Shenjt, i cili është i ngjashëm me Atin dhe Birin.
c) De sacramentis dhe De mysteriis – Sakramentet dhe Misteret. Është kjo një katehezë për të pagëzuarit e rinjë. Këtu Ambrozi bukur shpjegon pagëzimin, krezmimin dhe kungimin.
Mendoj se është me rëndësi që t`i cekim edhe disa fjalime. Këtu po e citojmë fjalimin që mbajti me rastin e vdekjes së Valentinianit perandor. Perandori vdiq si katekumen. Vdiq në moshën 22 vjeçare. Ambrozi ndër të tjera tha: Në qoftë se martirët janë të larë me gjak, ky Valentiniani është i larë me përshpirtëri dhe vendosmëri që ta ndjekë Jezu Krishtin.

Edhe pak fjalë si përfundim për shën Ambrozin. Ky shenjt jetoi dhe punoi në kushte dhe rrethana të vështira dhe të rrezikshme, kur dominonte kriza e madhe në mes shtetit dhe Kishës. Lirisht mund të themi se shën Ambrozi ishte njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, i cili nuk lejoi që perandori me autoritetin dhe fuqinë e vet të udhëhiqte Kishën siç kishin bërë më parë. Për më tepër ai nuk lejoi as shkeljen e ligjit dhe moralit nga askush, qoftë ai edhe mbret. Ambrozi arrinë që t`i çrrënjosë këto dukuri negative. Ambrozi me askend nuk ishte në armiqësi, pra as me shtetin. Ai në këtë mënyrë e mbronte edhe autonominë e Kishës.
 
Benedikti XVI për Shën Ambrozin në audiencën e përgjithshme të datës 24 tetor 2007 në Vatikan.
“Kush predikon Ungjillin, krahas dijes së fituar përmes studimit dhe reflektimit, duhet edhe ta dëshmojë dashurinë e krishterë për të tjerët, por nuk mund të jetë kurrë palaço që luan një rol, sepse këtë ia kërkon zanati”. Është një pohim me vlera të mëdha kjo sintezë e katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar figurës së Shën Ambrozit.
Ambrozi qe një Gjon tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpëdrejtë nga Zemra e Mësuesit thelbin e mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë së krishterë. Me këtë krahasim e përfundoi katekizmin e sotëm Benedikti XVI, i cili u paraqiti tridhjetmijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të butë vjeshtarake, pas të ftohtave të parakohshme - figurën e një dëshmitari të vërtetë të Zotit. E duke vijuar të flasë për Shën Ambrozin, Papa shpjegoi se ipeshkvi shenjt pati meritën ta kthente zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm falë përshpirtërisë, por kryesisht falë shembullit të tij. Agostini – shpjegoi Benedikti XVI - u prek thellë kryesisht nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të flisnin me Ambrozin ipeshkëv, sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen e problemeve të tyre. Duke folur për shërbimin që kryen Ambrozi e Agostini – vërejti Papa – kuptohet menjëherë se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë. E këtë duhet ta kenë të qartë edhe katekistët e sotëm:
“Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.
Për Agostinin e ri, ende në kërkim të Zotit, fryti i kumtimit të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale e komunitare. Dëshminë personale e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos. Benedikti XVI tregoi sesi ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin duke e lexuar Shkrimin Shenjt me gojë mbyllur, vetëm me sy. Një lexim i tillë i binte ndesh dokeve të kohës, sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht. Nga kjo mënyrë e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar me Biblën:
“Në këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit zemra përpiqet të arrijë urtinë e Fjalës së Hyjit - e kjo është ikona për të cilën po flasim – mund të shihet qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi Shenjt, i përvetësuar në thellësi të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për t’u prirë zemrave në rrugën drej Zotit”.
Papa theksoi se dëshironte që kjo figurë e Shën Ambrozit të mbetej në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”. Por ikonë është edhe dëshmia e fesë që Shën Agostini e pa tek besimtarët, sapo arriti në Milano:
”Ajo që e tundi zemrën e rektorit të ri afrikan, dyshmitar e të dëshpëruar, e që e bëri të pendohej përfundimisht, nuk qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte, e bashkuar si një trup i vetëm”.
Papa e përfundoi katekizmin me fjalët e një prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh një plagë, ai është mjeku; në se buza jote, shkrumbuar nga ethet, kërkon një pikë ujë, ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është ai forca; në se dëshiron qiellin, ai është udha”.“Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.