Rumani: fitore e ngushtë për Baseskun, që akuzohet për manipulime
(07.12.2009 RV)Përfundoi ballotazhi për zgjedhjet presidenciale në Rumani.
Një natë me shumë pasiguri i dha një fitore të ngushtë Trajan Baseskut, i cili është
presidenti aktual dhe kandidati i së djathtës. Basesku mori 50,37% të votave, ndërsa
rivali i tij social-demokratik, Mirça Xhuana 49,63%. Partia Social-demokratike e akuzon
për manipulime presidentin në fuqi, por ky qëndrim nuk mbështetet nga OSBE-ja, e cila
ka deklaruar se zgjedhjet janë zhvilluar sipas standarteve. Ish-kapiten i marinës,
politikan karizmatik e i dashur për popullin, 58 vjeçari Basesku ka qenë më parë edhe
ministër transportesh e kryetar bashkie i Bukureshtit. Ka përpara sfidën e zgjidhjes
së krizës politike dhe institucionale, që vazhdon prej vitesh. Duhet edhe të nxjerrë
nga vështirësitë ekonominë e vendit, penguar nga një tregues i lartë kriminaliteti
dhe korrupsioni. Prej vitesh, bisedimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një kredi
prej 20 miliard eurosh kanë mbetur në vendnumëro.