2009-12-07 18:32:38

Rrjeti i jezuitëve afrikanë kundër Sidës: të punohet për formimin e personit që të zhduket pandemia


(07.12.2009 RV)“Kisha nuk është mbrapa askujt në përballimin e Sidës në Afrikë e në kujdesin për personat e sëmurë”. Kështu deklaruan ipeshkvijtë afrikanë javën e kaluar. Për gjendjen ekzistuese pyetëm koordinatorin e Rrjetit të jezuitëve afrikanë kundër Sidës, atë Mikael Czerny:
Një person i sëmurë me Sidë ka shumë mundësi të humbasë punën. Në një farë kuptimi, kjo është më dramatike për të e për familjen në krahasim me marrjen ose jo të ilaçeve. Mjekësia ndihmon, por nëse personi nuk mund të punojë për shkak se askush nuk do të rrijë afër me të, kjo kthehet në dënim me vdekje.
Shpesh, përpjekjet e organizatave botërore përqëndrohen në shpërndarjen e prezervativëve si masë për mospërhapjen e Sidës. Ipeshkvijtë afrikanë, si edhe Papa Benedikti XVI, theksojnë se nuk është ky hapi i parë për këtë qëllim. Si mendoni ju?
Kanë plotësisht të drejtë. Sida është një dritare e hapur mbi të gjitha përmasat e jetës në Afrikë. Të luftosh kundër Sidës, kundër varfërisë e kundër dhunës është një gjë e vetme. Gjatë shtatë vjetëve që jemi të pranishëm si Rrjet, e kemi bashkërenduar luftën kundër Sidës me veprimtarinë tipike të Shoqërisë së Jezusit në Afrikë: famulli, shkolla, qendra shpirtërore e mesimdhënie. Sida nuk është emergjencë më vete, por është pjesë e jetës, madje është një nga sfidat e jetës këtu në Afrikë. Duam ta përballojmë si të gjitha aspektet e rëndësishme të problemeve afrikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.