2009-12-07 14:33:56

Parlamenti Evropian nxit regjimin pa viza për Vendet e Ballkanit perëndimor


(07.12.2009 RV)Kryetari i Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, shpreh besimin se Shqipëria do të përfitojë së shpejti liberalizimin e vizave.
"Parlamenti Evropian vazhdon të jetë një nxitës i fortë i regjimit pa viza për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi të jenë përmbushur të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave", deklaroi sot në Tiranë, z. Eduard Kukan, përfaqësues i Kryetarit të Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek dhe Kryetari i Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore.
Z. Kukan përshëndeti sot punimet e konferencës rajonale dyditore me temë "Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Europës Juglindore në Bashkimin Europian", e cila po zhvillon punimet në ambientet e Hotel "Tirana Internacional", me nismën e Kuvendit të Shqipërisë.
Viti 2009 ka qenë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, tha z. Kukan, duke u ndalur te dy prej ngjarjeve më të rëndësishme, siç ishte anëtarësimi në NATO dhe pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat në BE.
Por sipas tij, "viti 2009 ka qenë shumë i rëndësishëm edhe për të gjithë Evropën Juglindore dhe sidomos për Ballkanin Perëndimor, pasi nga 19 dhjetori qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë do të udhëtojnë në zonën Shengen të BE-së pa detyrimin për të pasur një vizë".
Në këtë drejtim, z. Kukan u shpreh optimist se "edhe qytetarët e Shqipërisë do ta gëzojnë këtë të drejtë shumë shpejt, ashtu sikurse edhe Kosova në të ardhmen".
Një tjetër event shumë i rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit është edhe ratifikimi i Traktatit të Lisbonës, që sipas z. Kukan, "rikonfirmoi konsensusin e BE-së për zgjerimin e mëtejshëm, si dhe kapacitetet për të integruar vende të reja anëtare".
"Askush nuk mund të thotë më se BE nuk ka kapacitetet institucionale për t'u zgjeruar më tej. Këto kapacitete janë, dhe në këtë mënyrë është përmbushur një nga kushtet e BE-së", tha z. Kukan, ndërsa vlerësoi se "procesi i zgjerimit në përgjithësi ka qenë një instrument shumë efektiv për të realizuar ndryshime demokratike, si dhe për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Lindore dhe Qendrore".
Duke theksuar se zgjerimi ka rezultuar si një nga politikat më të suksesshme të BE-së, z. Kukan u shpreh se "i gjithë ky proces ka kontribuar në rritjen e sigurisë në Evropë". "Nga viti 1998 deri në 2006 kam qenë dëshmitar i ndryshimeve dhe transformimeve në kontinentin europian. Perspektiva e anëtarësimit në BE ka qenë një nga promotorët e rëndësishëm në nxitjen e shumë proceseve zhvilluese në rajon, si dhe për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit", vijoi ai.
Në këtë drejtim, z. Kukan vlerësoi se "përgjithësisht, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ndjekur objektivat për anëtarësimin në BE me gjithë sfidat e forta që iu është dashur të përballojnë".
Sipas tij, "garantimi i shtetit ligjor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin demokratik dhe social të një vendi dhe një nga kushtet e rëndësishme për anëtarësimin në BE". "Liria e shtypit, si dhe bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, është edhe një tjetër çështje e rëndësishme, një kusht për këto vende që të përmbushim kërkesat për anëtarësimin në BE", tha z. Kukan.
Duke vlerësuar bashkëpunimin rajonal, si një element të rëndësishëm në kuadër të anëtarësimit në BE. z. Kukan u shpreh se "kërkohet zgjidhja e problemeve ndërkufitare, problemeve të pronave, bashkëpunimi gjyqësor, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative për të punuar më mirë në kuadër të marrëdhënieve midis vendeve në rajon".
"Për t'u anëtarësuar në BE është e rëndësishme që të gjitha vendet e rajonit të marrin përsipër përgjegjësitë. Është e rëndësishme që të shmanget çfarëdolloj kthimi prapa në këtë proces dhe të gjendet mënyra për realizimin e këtyre objektivave dhe për kapërcimin e këtyre vështirësive në të ardhmen", tha z. Kukan.
Kryetari i Delegacionit të PE-së për Marrëdhëniet me Evropën Juglindore shprehu bindjen se "perspektiva europiane për vendet e rajonit të Evropës Juglindore ka qenë një faktor stabiliteti dhe progresi, si dhe një granci për transformimet demokratike dhe ekonomike në këto vende".
"Vendet e Evropës Juglindore i përkasin Europës. Ka qenë gjithmonë kështu dhe do të jetë kështu, pasi pa këto vende Evropa nuk do të jetë e plotë, por BE-ja është një institucion dhe ju duhet që të ngrini standardet për t'u bërë pjesë e këtij grupi. Askush nuk mund ta bëjë këtë gjë për ju, por vendet tuaja duhet të punojnë në këtë drejtim. Kujtoni që PE është gjithmonë atje për t'ju ndihmuar", tha në përfundim z. Kukan.
nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.