2009-12-07 18:31:16

Papa: ideologjia marksiste ka sjellë shumë të këqija e vuajtje!


(07.12.2009 RV)Nesër Shqipëria në festë, do të përkujtojë fillimin e kthesës së madhe historike të 8 dhjetorit 1990, me nismën e një grupi studentësh e pedagogësh universitarë. Përkujtohet fillimi i protestave paqësore, që patën si pasojë fundin e epokës së vetizolimit.
Prandaj Kuvendi i Shqipërisë e shpalli 8 dhjetorin ‘Dita e Rinisë dhe e Pluralizmit’.
Konsiderohet, pra, si dita, kur shqiptari siguroi, më në fund, të drejtën për të ecur i lirë në rrugët e ideologjive e të botës.

Në këtë kontekst, po kujtojmë fjalët e Benediktit XVI, i cili në fundjavën e kaluar, foli tri herë për ideologjinë e terrorit, duke e krahasuar me ideologjinë e demokracive perëndimore.
Ati i Shenjtë dënoi haptazi të këqijat që solli ideologjia marksiste në tri vende të ndryshme të botës, duke nisur pikërisht nga Shqipëria ku, për shkak të regjimit ateist tejet shtypës e kundërshtar i rreptë i fesë, shumë të krishterë e paguan besimin e tyre me çmimin e jetës.
Në Gjermani, pastaj, kumunizmi ngriti një mur, që për 40 vjet rresht e copëzoi vendin në dy pjesë. Kufi vdekjeje, ky, që ndau njerëz, familje, të afërm e miq.
Në Amerikën Latine, së treti, me teorinë e çlirimit, që solli rebelimin, përçarjen, pakënaqësinë, fyerjen, anarkinë. E të gjitha këto, pasojë e pranimit, pa frymë kritike, të tezave e të metodologjive, hyrë në doktrinën e krishterë nga ideologjia marksiste.
Pas takimit, të premten a kaluar, me Kryepeshkopin ortodoks të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastas, dhe fjalimit të mbajtur po atë mbrëmje, në përfundim të koncertit, ofruar në Kapelën Sikstine nga presidenti gjerman, Horst Koehler, me rastin e 20-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, Papa vuri fort theksin mbi dëmet, që ideologjia komuniste vijon të shkaktojë edhe sot e kësaj dite, kudo që sundon, haptaz a në mënyrë të maskuar, duke u përpjekur ta rifitojë sundimin, atje ku e humbi. E ky theksim doli në pah veçanërisht në takimin me ipeshkvijtë e Brazilit, gjatë vizitës së tyre ‘ad Limina’ në Vatikan. Benedikti XVI shpjegoi se ndikimi shkatrrimtar i ideologjisë marksiste mbi Kishën në Brazil, e bëri atë të vuajë shumë e të humbasë forcat e saj më të gjalla.
“U lutem të gjithë atyre që, në një mënyrë a një tjetër, ndikohen a impenjohen shpirtërisht në mbrojtje të disa parimeve të rreme të teologjisë së çlirimit, të ballafaqohen me Udhëzuesin vatikanas, duke e pranuar ndriçimin, që buron prej tij". Benedikti XVI e ka fjalën për udhëzuesin ‘Libertatis nuntius”, nënshkruar 25 vjet më parë prej tij, kur ishte Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Papa teolog u kujtoi ipeshkvijve të Brazilit se rregullin më të lartë të fesë e gjejmë tek ‘uniteti, që vendos Shpirti Shenjt në Trininë Hyjnore’, tek Shkrimi Shenjt e tek Magjisteri i Kishës, në një përkim të tillë, që asnjëri nga këto tre elemente nuk mund të mbahet në këmbë, pavarësisht nga tjetri.
Në Kapelën Sikstine Benedikti XVI bëri një pyetje kyçe, thellësisht ndriçuese e aktuale: “A mund të themi se rendi shoqëror perëndimor ishte shumë më i mirë e më humanitar, se ai i regjimeve marksiste? Historia e Republikës Federale të Gjermanisë – u përgjigj Papa – na e provon qartë këtë. E provë tjetër është edhe zhvillimi paqësor i Gjermanisë së përtej gardhit, pas gjashtë dekadash të kaluara në natën e errët të dhunës e të shtypjes, nën thundrën e hekurt të sistemit totalitar".







All the contents on this site are copyrighted ©.