2009-12-05 16:09:15

Shenjtorët e Javës së ardhshme


(06.12.2009 RV)Të dielën, më 6 dhjetor Kisha katolike kremton të dielën e dytë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. E gjithnjë sot më 6 dhjetor kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Kollit të Barit, ipeshkëv i Mirës. Kujtojmë se Jezusi ua kumton njerëzve lajmin e mirë me fjalë, me shërime e me shumëzimin e bukëve, duke i ftuar të ulen me gëzim në sofrën e Zotit, ku njeriu shuan etjen e trupit e të shpirtit.

Të hënën më 7 dhjetor , sipas kalendarit kishtar duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Ambrozit, ipeshkëv i Milanos e doktor i Kishës, mësojmë t’ia besojmë veten vetëm Zotit e ta vlerësojmë jetën ashtu siç është.
 
Solemniteti i Zojës së Papërlyer, të martën e ardhshme më 8 dhjetor, na fton të bashkojmë zërin në korin e mbarë Kishës, që brohoret: “Kundruam, o Zot, mrekullitë e dashurisë sate”.

Të mërkurën më 9 dhjetor do të kremtohen Shën Huan Diego, Shën Siri e Shën Valeri , të cilët me jetën e tyre na kujtojnë se vërtetë i lum është vetëm ai që pret Zotin!


Të enjten më 10 dhjetor kalendari Kishtar përkujton  festën e Zojës së Loretos, Shën Maurin martir e Shën Gregorin II, papë. Meditimi i leximeve biblike të festës na nxit t’i drejtojmë vetes pyetjen: “A jemi aq të përgatitur, sa ta presim Jezusin edhe kur nata është tepër e errët?”.

Të premten më 11 dhjetor, sipas kalendarit kishtar, bie festa e Shën Damazit I papë. Na kujton se Zoti ynë po vjen të na shëlbojë, të na i falë mëkatet e të na shërojë trupin e shpirtin.

Në festën e Zojës së Guadalupes, që do të kremtohet të shtunën me 12 dhjetor , ndjehet tashmë atmosfera e një bote të përtërirë, në të cilën asnjë njeri që i beson me gjithë zemër Zotit, nuk do të humbasë, sepse Krishti është gjithnjë në kërkim të deles së humbur.

Të dielën e ardhshme më 13 dhjetor, Kisha do të kremtojë të dielën e Tretë të Kohës së Ardhjes e po këtë datë më 13 dhjetor, sipas kalendarit Kishtar përkujtohet edhe festa e Shën Luçisë, virgjër e martire e Sirakuzës. Liturgjia  në përkujtim të Shën Luçisë na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurtë se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.