2009-12-05 17:59:28

Rubrika “Shtigjeve të Krishtlindjes”: “Një britmë në shkretëtirë”.


(06.12.2009 RV)Sa ditë na ndajnë nga ardhja e Krishtit mes nesh? Në emisionin tonë të shtatë, kushtuar pritjes së Zotit, zëri i Profetit ushton në shkretëtirë, duke na ftuar t’ia shtrojmë rrugën Zotit, të shpejtojmë hapin “Shtigjeve të Krishtlindjes” 2009, për të dalë nga përcëllimi i shkretëtirës në dritën e jetës. E ne e dimë se Profeti nuk është si gjithë të tjerët, nuk rrëfen përralla, për të dëfryer të mëdhenjtë, të pushtetshmit, ata që besojnë se i kanë në dorë fatet njerëzore. Profeti nuk diskuton, flet. E kur flet, shqetëson, trondit. Disa çuditen e shkandullohen e kujtojnë se po dëgjojnë një të çmendur. Po ai vijon të flasë, të bërtasë në shkretëtirën e jetëve tona, pa pyetur për jetën e vet:

E Ungjilli i sotëm na kujton pikërisht:

“Zërin e atij që bërtet në shkreti:
‘Përgatitni rrugën Zotit,
Rrafshoni shtigjet e tija!
E çdo njeri të shohë shëlbimin e Hyjit”.
(Lk. 3, 3-6)

 
“Një britmë jehon në shkretëtirë!
Shkretëtira është vend
ku gjithçka mund të ndodhë.
Në zemër të shkëmbit
e të rërës që përcëllon,
Profeti gatit britmën,
që Fjala t’zbresë mbi ne.
Fjala e thjeshtë,
që prek zemrat.
Fjala, që hyn pa droje
në tytsinë e shtëpive tona,
që hyn në shpirt.
Kur mbi stomije të rërës
nis fryn e shfryn shiroku,
duhet të presësh
sa të kalojë era, që përcëllon.
Atëherë mund të dalësh nga toka e zjarrit
e të shkelësh në tokë të njeriut,
e endacakëve t’ua lesh
shkretëtirën e përvëluar.
Erdh koha
të dëgjojmë zërin e Profetit:
“Ejani t’i shtrojmë rrugët,
Mesia është në prag”.
Tashmë jehona e fjalës
përshkon gjithë viset tona.
Mes nesh vjen me ngritë plang
e me ndreqë shtëpi.
Dy sytë e ndritur
na i lë mu ndër sy,
e flakën e dëshirës,
për tokën pa zjarre,
e shpirtin pa dhimba
e dheun pa varre!"







All the contents on this site are copyrighted ©.