2009-12-05 16:07:14

Ndjeti misionar i Papës Benedikti XVI për muajin e dhjetorit: kombet t’ia hapin dyert dritës së Krishtit


(05.12.2009 RV)RealAudioMP3 “Të lutemi që në Krishtlindje popujt e Tokës të shohin te Fjala dritën që shndrit çdo njeri dhe kombet t’ia hapin dyert Krishtit, Shpëtimtarit të botës”. Fraza me të cilën Papa Benedikti XVI shpreh ndjetin misionar për muajin dhjetor e çon Kishën drejt e në misterin e Krishtlindjes që po vjen.
Ç’është Shpella e Betlehemit pa Jezusin Foshnjë? E si është bota pa Krishtin: një vend i varfër, i ftohtë, i errët. Grazhdi, pohonte Papa Benedikti XVI në natën e Krishtlindjes 2007, “përfaqëson tokën e keqtrajtuar”. E megjithatë është edhe shenjë e diçkaje tjetër. Është shenja e pranisë së dikujt, që e largon të ftohtët e ndriçon errësirën. E më tej:
“Në grazhdin e Betlehemit qielli e toka bashkohen. Qielli erdhi për tokën. Për këtë, prej andej del një dritë për të gjitha kohrat; për këtë, aty ndizet gëzimi; për këtë, aty lind kënga”.
Një këngë, që fatkeqësisht nuk e dëgjojnë të gjithë. Shumë janë shurdhë ose indiferentë. Të tjerë, thotë Papa në homelinë e 24 dhjetorit 2005, e dinë se kanë nevojë për mirësinë e atij Fëmije, por nuk kanë një ide të saktë. E po në vitin 2007, Ati i Shenjtë vazhdon:
“…njerëzimi pret Hyjin, afërsinë e Tij. Por kur arrin momenti, nuk ka vend për Të. Njerëzit janë tepër të zënë me vetveten, kanë nevojë kaq shumë për krejt hapësirën e kohën për të vendosur gjërat e tyre, saqë nuk mbetet asgjë për tjetrin – për të afërmin, për të varfërin, për Zotin”.
Por Zoti nuk e lë veten jashtë, përpiqet të gjejë rrugën drejt zemrës së njerëzve. Ai e di se ka njerëz që e shohin dritën e tij, ashtu si barinjtë e Betlehemit, e shkojnë përtej dhuratave e dritave verbuese të dyqaneve, gjatë kësaj kohe festash. Në Natën e Shenjtë të vitit 2006, Benedikti XVI thoshte:
“Ndër dhuratat e shumta që blejmë e marrim të mos e harrojmë dhuratën e vërtetë: t’i dhurojmë njëri-tjetrit diçka nga vetja jonë! T’i dhurojmë njëri-tjetrit kohën e, kohën Zotit. Kështu zhduket frenezia e këtyre ditëve. Kështu lind gëzimi, kështu vjen festa”.
Një festë, që si dje, ashtu edhe sot, kërkon që të kremtohet pikërisht në atë tokë, quajtur “shenjte” për hir të lindjes së Princit të Paqes, por paradoksalisht larg nga frytet e këtij privilegji, për shkak të luftrave, konflikteve e mosmarrëveshjeve që e përshkojnë. Siç bëri thirrje vetë Papa, Krishtlindjen e kaluar:
“Të ndalen urrejtja e dhuna. Ardhtë mirëkuptimi i ndërsjelltë, u hapshin zemrat që të hapen kufijtë. Le të zbresë paqja, për të cilën kënduan engjëjt atë natë”.
Sepse ajo këngë nuk është larguar kurrë nga Betlehemi, e as qielli nga ai grazhd i vogël bosh, që shpesh është bota pa Krishtin. Kjo është, siç tha Benedikti XVI në vitin 2007, shpresa që kemi në Krishtlindje:
“Qielli nuk bën pjesë në gjeografinë e hapësirës, por në gjeografinë e zemrës. E zemra e Zotit, në atë Natë Shenjte, erdhi deri poshtë në grazhd: përvujtëria e Zotit është qielli. E nëse shkojmë drejt saj, prekim qiellin. Atëherë bëhet e re edhe toka”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.