2009-12-04 15:57:51

Përshëndetja e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos drejtuar Papës Benedikti XVI


(04.12.2009 RV)RealAudioMP3 Shenjtëria Juaj Benedikt, Papë i Romës
“Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit” (1 Pjt 1:3). Sot është një ditë historike për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Është hera e parë që një delegacion nga Kisha jonë viziton Kishën e Romës dhe ka nderin e kënaqësinë të komunikojë personalisht me Shenjtërinë Tuaj; të cilin e njohim si mendimtar të thellë, teolog të shquar, mbrojtës të paqes e të drejtësisë, kampion solidariteti ndërmjet popujve dhe udhëheqës krijues kishtar.
Në shekullin e 20-të, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë pësoi një nga persekutimet më të tmerrshme. Që nga viti 1944 deri më 1967, ai mori formën e zakonshme të shtypjes që pësuan të gjitha Kishat në Evropën Lindore. Por, që nga viti 1967 deri më 1990, Kisha në Shqipëri u çua me të vërtetë në “portat e Ferrit”. Kushtetuta ndaloi çdo shprehje fetare dhe, sëbashku me persekutimin e papushuar, solli shkrirjen e plotë të Kishës.
Me hirin e fuqinë e Zotit, Kisha jonë ka rilindur dhe ka bashkuar të gjithë të krishterët ortodoksë në Shqipëri, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike. Ajo është rritur sistematikisht; duke forcuar jetën liturgjike, duke u lutur, duke bërë katekizëm e duke përkthyer e botuar literaturë të krishterë; duke formuar e duke shuguruar mëse 140 klerikë; duke ndërtuar 145 kisha të reja; duke restauruar 70 të tjera e duke riparuar 160 kisha dhe qendra kishtare; e mbi të gjitha duke bërë përpjekje këmbëngulëse për ta afruar brezin e ri me Krishtin. Njëkohësisht, ajo po jep kontribut aktiv në përparimin e shoqërisë shqiptare, përmes nismave në fusha si shëndetësia, arsimi, asistenca sociale, zhvillimi bujqësor dhe kultura.
Do të doja të kujtoj se para se të pranoja misionin e Primatit të Kishës së Shqipërisë, pata kënaqësinë, në fund të viteve 1960, t’ju njihja në një tryezë të rrumbullakët mbi misionin në Marburg. Më vonë, si profesor i Universitetit të Athinës, ju kam takuar në Mitingun e teologëve ortodoksë dhe katolikë romakë në Qendrën Inter-ortodokse në Athinë, që pati si temë “Das Sakrement der Waihe” (Qershor 1973). Që atëherë, kam ndjekur me interes të madh shkrimet Tuaja të thella, përpjekjet dhe luftën për t’u siguruar që drita e Krishtit, drita e dashurisë dhe e shpresës të rrezatojë krejt botën.
Shenjtëria Juaj, shërbimi ynë brenda Shqipërisë dhe në Lëvizjen Ekumenike vazhdon me bindjen se nga të gjitha propozimet fetare e filozofike mbi vlerën dhe të ardhmen e njerëzimit, më i miri e më madhështori mbetet ai i krishterimit. Ai ngul këmbë në mishërimin e Qënies Superiore, të Zotit të dashurisë, dhe në përparimin e popujve drejt Zotit (theosis) në sajë të Hirit hyjnor. Evropa, e në të vërtetë krejt bota, ka më shumë nevojë për dritën e Krishtit se kurrë më parë. Njohuritë e reja shkencore mbi natyrën e dritës “së krijuar” i kanë dhënë më tepër frymëmarrje simbolizmit të efekteve mahnitëse të dritës shpirtërore në botë. Krishti, drita e botës, mund të njihet njëlloj si drita natyrore, por njëkohësisht, thelbi i tij është i paarritshëm e i pakonceptueshëm. Zoti quhet dritë jo sipas thelbit të tij, por sipas energjisë së Tij, na shpjegon Shën Gregor Palamas. E ndërsa thelbi i Zotit mbetet i paarritshëm, kushdo dëshiron mund të marrë pjesë në energjinë e Tij.
Pa dyshim që drita e Krishtit në botën e sotme është mbuluar me retë e ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Prandaj përpjekjet për afrimin ndërmjet të krishterëve, nismat e dialogut teologjik me qëllim kuptimin e njëri-tjetrit, për të arritur pajtimin, janë detyrim themelor për të gjithë udhëheqësit kishtarë. Që nga ringjallja e saj, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, me këtë në mendje, ka marrë pjesë në dialogun ndërmjet kishave dhe natyrisht në dialogun ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve romakë. Pa nënvleftësuar vështirësitë e kësaj rruge, ne jemi të sigurtë se përpjekja aktive për të kapërcyer ndarjet është plotësimi i vullnetit të Kreut të Kishës, Zotit tonë Jezu Krisht; i cili në çastin më të vështirë para Mundimeve, u lut që ata që besojnë në Të “të jenë një” (Gjoni 17:21). E njëkohësisht, kjo u përgjigjet edhe kërkesave të kohës sonë që na kërkojnë drejtësi, bashkëjetesë në harmoni dhe solidaritet me të gjithë njerëzit. Sigurisht që problemet mbeten dhe do të duhet gjithë reflektimi, dëshira e sinqertë për të kërkuar të vërtetën, mendimi kritik, shndritja dhe hiri i Zotit për t’i zgjidhur.
Në fillim të shekullit të 21-të, përvoja e tmerrshme e 11 shtatorit 2001 na kujton rrezikun e jashtëzakonshëm që e kërcënon njerëzimin nga ringjallja e fanatizmave fetare. Që atëherë, janë shtuar nismat jo vetëm për paqen në botë, por edhe për dialogun ndërfetar, me qëllim që të mbështetet rruga e paqes sipas traditave e bindjeve fetare. Kemi ndjekur me interes e vëmendje të madhe ndërhyrjet e Shenjtërisë Suaj, nismat dhe veprimtarinë Tuaj në këtë fushë kritike siç është dialogu ndërfetar. Në Shqipëri, në veçanti, që nga kthimi i lirisë së fesë, bashkësitë kryesore fetare, ortodoksët, katolikët dhe myslimanët, si sunitët ashtu edhe bektashinjtë, kanë krijuar jo vetëm një atmosferë tolerance fetare, por diçka edhe më të rëndësishme: respektin e ndërsjelltë, mbështetjen për njëri-tjetrin dhe bashkëpunimin krijues. Kjo ka ndihmuar në përparimin dhe zhvillimin paqësor të krejt vendit.
Ne jemi krejtësisht dakord me Enciklikën “Deus caritas est”, aty ku theksoni se “çdo gjë e ka origjinën në dashurinë e Zotit, çdo gjë merr formë prej saj, çdo gjë shkon drejt saj”. Gjithashtu, edhe me deklaratën në Enciklikën tuaj të fundit “Caritas in veritate”, sipas së cilës “Zoti na jep forcën për të luftuar e vuajtur për hir të së mirës së përbashkët, pasi ai është Gjithçka për ne, është shpresa jonë e madhe”. Sigurisht që misioni dhe përgjegjësia e çdo Kishe lokale është ta ofrojë këtë dashuri e pra, ta lidhë popullin me burimin e dashurisë. Asnjë strukturë shoqërore ose institucion nuk është në gjendje ta zëvendësojë atë. “Duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën”, ne jemi të thirrur “të rritemi në çdo pikpamje drejt Atij që është Kryet – Krishtit” (Ef 4:15).
Të mbështetur në këto siguri të thella, me besimin në Atë që është me të vërtetë “I vërteti”, me të vërtetën dhe dashurinë që Ai na zbuloi në plotësi, ne të krishterët guxojmë të shpresojmë. E në këtë fazë të re të historisë globale, në mes të problemeve nga më të ndryshmet, ne shpallim me guxim: “Ka shpresë”! Ka shpresë në luftën për paqe e drejtësi; kur mbrojmë dinjitetin e secilit dhe të çdo njeriu pavarësisht nga origjina e tij, nga arsimi apo nga bindjet fetare; kur ngulim këmbë në detyrën e solidaritetit ndërmjet njerëzve e popujve; kur i shtojmë përpjekjet për respektimin e Krijimit. E së fundi, përmes pushtetit të Zotit tonë Jezu Krisht, të kryqëzuar e të ringjallur, të cilit i është dhënë “i gjithë autoriteti në qiell e në tokë (Mat 28:18), e vërteta, drejtësia e dashuria do të ngadhnjejnë.
Të mos shqetësohemi për të ardhmen. Sepse ne e shohim se e ardhmja i takon Krishtit. Sepse Jezusi është Ai “që është dhe që ishte e që do të jetë; i Gjithpushtetshmi”. E Ai po vjen përsëri nga e ardhmja!
Ne e dimë Shenjtëria Juaj se përmes shërbimit tuaj të gjatë akademik e kishtar, keni mbështetur, siç vazhdoni ta bëni, fenë me këtë siguri unike, me mendimin tuaj të thellë, me bujarinë e shpirtit, me perspektivën profetike. Nga Kisha e Shqipërisë, që ka vuajtur aq shumë, ju lutem pranoni një falenderim të ngrohtë për nderin e audiencës së sotme dhe urimet tona më të përzemërta e të sinqerta. Nga zemra ne i përgjërohemi Hyjit Zot, përmes lutjeve të Shenjtërisë së Tij Theotokos, që të udhëheqë mendimet dhe veprimet e Shenjtërisë Suaj, që përmes jetës e punës suaj të rrezatoni dritën e Krishtit në botën bashkëkohore, e cila ka etje për dashuri, paqe dhe shpresë. Qoftë puna juaj e madhe dhe e begatë!








All the contents on this site are copyrighted ©.