2009-12-04 18:19:58

Papa priti presidentin Medvedjev: marrëveshje për marrëdhënie të plota diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Rusisë.


(04.12.2009 RV)Dje pasdite Benedikti XVI priti në audiencë presidentin e Federatës Ruse, Dmitri Medvedjev i cili, më pas, u takua edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
“Gjatë bisedimeve – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – të dyja palët shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet e përzemërta ekzistuese dhe u morën vesh për vendosjen e lidhjeve të plota diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Federatës Ruse.
Pas shkëmbimit të opinioneve mbi gjendjen ekonomike e politike ndërkombëtare, parë edhe në dritën e Enciklikës ‘Caritas in Veritate’, një kopje e së cilës në gjuhën ruse iu dhurua presidentit, palët vijuan të bisedojnë për sfidat aktuale të sigurisë e të paqes. U fol, gjithashtu, edhe për tema kulturore e shoqërore, me interes të përbashkët, siç janë vlera e familjes e ndihmesa e besimtarëve në jetën e Rusisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.