Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Ardhjes “ Shëlbimi është i mundshëm!
(05.12.09. RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit
të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku
leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së dytë të kohës kishtare të Ardhjes,
ciklite të tretë, sipas kalendarit kishar, kohë shpirtërore që përgatit e paraprijnë
festën e Mishërimit të Zotit, të Zotit me ne, Krishtlindjen. Në të dielën
e dytë të kohës liturgjike të Ardhjes, liturgjia e Fjalës së Zotit na ofron si model
– shembull të pritjes së Ardhjes së Zotit, figurën e Gjon Pagëzuesit. Gjoni na fton
të shprehim përmes shenjës së pagëzimit, vendimin e kthimit tonë në rrugën e Zotit,
të tregojmë përcaktimin tonë për t’u kthyer tek Hyji, çka edhe karakterizon kohën
e re, kohën në të cilën vjen shpëtimi jonë. Për të krishterin, pikërisht në kujtimin
e pagëzimit personal, gjendet zgjedhja dhe përcaktimi i besimit në Zotin që përfaqëson
këtë kthesë vendimtare. Ne, prandaj përmes lutjes së Meshës së kësaj diele
i kërkojmë Zotit pikërisht forcën për ta orientuar jetën tonë drejt Tij: “…foli sot
zemrës së popullit tënd, në mënyrë që në pastërtinë e fesë e shenjtërinë e jetës të
mund të ecim drejt ditës në cilën do ta shfaqësh plotësisht lavdinë e emrit tënd”.
Teksti i pjesës së Ungjillit ( Lk 3,1-6) të kësaj së diele është thirrje për t’ia
përgatitur rrugën Zotit që vjen, për t’i rrafshuar shtigjet, në perspektivën e ardhjes
së Zotit. Figura e Gjon Pagëzuesit, pararendësit të Mesisë, që predikon pagëzimin
e kthimit për të pasur faljen e mëkateve, krijon një situatë të re pritjeje shpirtërore,
në qendër të së cilës del në pah figura e të priturit: figura e Jezusit, dëftimi i
atij që na zhytë e sharton në Shpirtin e Hyjit. Profetizimi i Isaisë, në leximin
e parë ( Baruku 5,1-9), paraprijnë kështu shpresën dhe gëzimin, të cilit, Ungjilli
do ti japë plotës: flitet për faljen e mëkateve dhe rivendosjen e miqësisë ndërmjet
popullit e Zotit. Hyji kthehet e bëhet bariu i popullit të vet, bëhet udhëheqësi që
e fton dhe mbështet popullin në kthimin drejt Tij. Kërkesa e kthimit tonë tek
Zoti del në pah edhe në leximin e dytë të kësaj së diele ( Filipianët 1,4-6.8-11).
Thotë shën Pali apostull se në pritje të qiellit të ri e të tokës së re, të krishterët
janë të thirrur të jetojnë e të kalojnë një jetë të shenjtë, të ushtrojnë drejtësinë
e durimin, të jetojnë në dashuri, përkim e paqe. Porosia e leximeve biblike
të kësaj së diele është kjo: Zoti vjen për të na shpëtuar. Ai na dhuron Shpirtin e
vet në mënyrë që të mund ta orientojmë jetën tonë gjurmëve të tija hyjnore. Kumtimi
i Gjon Pagëzuesit është i ngarkuar plotë me shpresë sepse: “Çdo njeri do ta shohë
shëlbimin e Hyjit” (Lk 3,6), që është shfaqur në Jezusin, të Birin e të Tejlartit,
ardhur, si njeri ndër njerëz, për ti dhënë fillim Shëlbimit tonë. Kremtimi i liturgjisë
Hyjnore të dielës së dytë Ardhjes e shton në ne fuqinë shpirtërore për t’ia përgatitur
sa më mirë udhët e jetës ardhjes së Krishtit. Këtu mund të dëgjoni programin
e plotë.. Leximet
biblike të dielës së dytë të kohës së Ardhjes: Baruku 5,1-9: Zoti do të tregojë
shkëlqimin e vet në ty. Filipianët 1,4-6.8-11: Jini të ndershëm e të patëmetë për
ditën e Krishtit. Luka 3,1-6: Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit!
Leximi
i parë Bar 5, 1-9
Profeti Baruk i këndon Jerusalemit si qytetit që merr misionin
të jetë në mes popujve qyteti i paqes. Kjo paqe nuk është rezultat i fuqisë, por
i dashurisë së Hyjit. Hyji po përgatit një botë të mrekullueshme, ku çdo njeri
do ta shohë shpëtimin e Hyjit, në orën e takimit të gëzueshëm mes Shpëtimtarit dhe
njerëzimit. Një takim të tillë Hyji ka guximin tua premtojë bijve të tij dhe
ne kemi guximin ta shpresojmë. Lexim prej Librit të Barukut profet
Hiqe,
Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e veshu me shkëlqim të lavdisë të
nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit! Mbështillu me mantel të drejtësisë
që vjen prej Hyjit, vëre në krye kësulën e lavdisë së të amshueshmit! Sepse Hyji do
t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell. Për amshim do ta qesë emrin:
“Paqja e drejtësisë”, “Lavdia e shërbimit hyjnor!” Ngrihu, Jerusalem, e qëndro në
majë, këqyr përreth në lindje, shih si janë bashkuar bijtë e tu prej ku lind dielli
u ku perëndon, në urdhrin e Shenjtit, plot gëzim për kujtimin e Hyjit! Prej teje dolën
këmbë të dëbuar nga armiku, do t’i bjerë te ti Hyji të mbartur me nder porsi froni
i mbretit, sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të
mbushen luginat e të barazohen me tokë, që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinë
e Hyjit! Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet dhe të gjitha lëndët
e erëndshme. Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet,
me mëshirë e me drejtësi që vijnë pre të lumit. Fjala e Zotit.
Psalmi
126 Punë të mëdha bëri Zoti për ne ---------- O
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr. Atëherë goja
na u mbush me gaz e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit! ---------- Asohere
thuhej ndër paganë: “Zoti bëri për ta punë të mëdha!” Vërtet Zoti bëri për ne
mrekulli e zemrat na u mbushën me gëzim! ---------- Ktheji, o Zot, robërit
tanë porsi përrenjtë e Negebit! Ata që mbjellin me lot, deh, le të korrin
me gëzim! ---------- Në të shkuar ecnin e qanin duke mbartur farën për ta
mbjellë, kurse në kthim do të vijnë plot gëzim duke mbartur dorëzat e veta. ----------
Leximi
i dytë Fil 1, 4-6.8-11
Shën Pali do t’i drejtojë të krishterët filipianë
drejt një besimi të pjekur dhe gëzohet që ata po rriten në dëshminë dhe në përhapjen
e Ungjillit. Edhe për ne është e nevojshme që jeta jonë si bijtë e Hyjit të rritet
në kuptimin që do Hyji. Është e mjaftueshme të pranosh veprën e shpëtimit që
Ai ka kryer në ne nëpërmjet besimit.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull
drejtuar Filipianëve
Vëllezër, gjithherë e në çdo uratë që them, lutem
me gëzim për ju të gjithë për arsye të pjesëmarrjes suaj në përhapjen e ungjillit
qysh prej ditës së parë e deri tani. Dhe jam plotësisht i bindur se Ai që në ju e
filloi veprën e mirë, Ai edhe do ta kryejë deri në ditën e Krishtit Jezus. Po,
Hyjin e kam dëshmitar se ju dua pa masë të gjithëve me dashurinë e Jezu Krishtit!
Dhe ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort
në njohuri e në kuptim të plotë, që të mund të dalloni çka është më e mirë, që të
jeni të pastër si dielli dhe pa farë të mete për ditën e Krishtit, plot me fryt drejtësie
që vjen nëpër Jezu Krishtin – për lavdi e nder të Hyjit. Fjala e Zotit.
Ungjilli
Lk 3, 1-6
Gjoni, profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, shpall se shpëtimi
i Hyjit po vjen për të gjithë njerëzit e jo vetëm për popullin hebraik. Paraardhësi,
për të shpallur ardhjen e Mesisë dhe për të përgatitur dishepujt e parë, i referohet
profetit Isaia që shpall kohën e Mesisë si kohë çlirimi.
Leximi i Ungjillit
shenjt sipas Lukës
Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar,
kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi,
vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës;
kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të
Zakarisë, në shkreti. Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke
predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve në përkim me sa shkruan në librin
e predikimeve të Isaisë profet: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën
e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të
ulet; udhët e shtrembra le të bëhen të drejta e ato gropa-gropa le të bëhen të rrafshëta.
E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.” Fjala e Zotit.