2009-12-04 18:19:44

Atë Kantalamesa në predikimin e parë të Kohës së Ardhjes: aktivizmi i ethshëm është herezia e kohëve tona.


(04.12.2009 RV)RealAudioMP3 Duhet shmangur herezia e kohëve tona, aktivizmi i ethshëm, për t’i kushtuar vëmendje asaj, që ka rëndësi të dorës së parë: lutjes, lidhjes së gjallë me Jezusin, dëgjimit të Fjalës së Tij. Këtë ftesë u drejtoi meshtarëve, në Vitin Meshtarak që u kushtohet, Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, në predikimin e tij të parë të Kohës së Ardhjes, mbajtur në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, në praninë e Papës e të Familjes Papnore:
“Të vijosh veprën e Krishtit në botë, do të thotë të bësh tëndin mësimin themelor, mësimin e dashurisë, mësimin e vullnetit për të shpëtuar, më shumë se për të gjykuar. Mos gjyko, shpëto! Por në ç’kuptim mund të flasim për meshtarët, si vijues apo pasardhës të veprës së Krishtit? Në çdo institucion njerëzor, siç ishte asokohe në perandorinë romake, pasardhësit, e jo themeluesi, e vijojnë veprën e nisur. Kjo vepër nganjëherë korrigjohet, kapërcehet e madje edhe mohohet. Por në Kishë nuk është kështu. Jezusi nuk ka pasardhës, sepse nuk ka vdekur: është gjallë. Vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Cila do të jetë, atëhere, detyra e meshtarëve të tij? Meshtarët duhet ta përfaqësojnë, ta bëjnë të pranishëm, t’i japin formë të dukshme, pranisë së Tij të padukshme”.
Jezusi ka thënë: “Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq!” Prandaj – shtoi Atë Kantalamesa - meshtarët duhet të kultivojnë posaçërisht, lidhje vetjake, plot besim e miqësi me Krishtin:
“Dashuria për Jezusin është ajo që e dallon meshtarin funksionar e drejtues - e ka edhe të tillë – nga meshtari shërbëtor i Krishtit e mik i Jezusit. Sikur të kujtoheshim, të nderuar etër e vëllezër - e unë më i pari – sa pranë e kemi Zotin e ngjallur, si një nga miqtë më të kujdesshëm. Sa shumë dëshiron të rrijë e të punojë me meshtarin, sa i gatshëm është ta ndihmojë, ta këshillojë, ta falë – madje edhe të bëjë shaka me të. Jeta e meshtarit do të ishte aventura më joshëse që ka provuar ndonjëherë njeriu: e ne do të ishim vërtetë më të lumturit ndërmjet njerëzve”.
Çka duhet të shmangim – vijoi Atë Kantalamesa – është aktivizmi i ethshëm, herezia e re e kohëve moderne. Ne meshtarët – tha në përfundim Predikatari – jemi më të ekspozuar se të tjerët përballë rrezikut që të shtyn të flijosh gjënë më të rëndësishme, për atë që është më e ngutshme. Lutja, përgatitja e homelisë ose e Meshës, studimi e formimi janë të gjitha gjëra me rëndësi të dorës së parë, por shpesh herë zëvendësohen nga punët e vogla urgjente, që duhet të kryejmë ditë për ditë:
“Dëgjojmë nganjëherë të thuhet: si mund të rrimë të lutemi qetë-qetë e të gjunjëzohemi në adhurim, kur shumkush ka nevojë për ne e shtëpisë i del flaka mbi çati? Është e vërtetë, por të përfytyrojmë ç’do të ndodhte sikur në një qendër zjarrfiksish të jepej alarmi e të vrapohej pa frymë, me sirenat në kupë të qiellit, për të shuar zjarrin. Pastaj, kur zjarrfikësit të arrinin në vendin duhur, të shikonin se në serbator nuk kanë asnjë pikë ujë? Kështu jemi edhe ne kur vrapojmë e vrapojmë, por pa e pasë kryer detyrën kryesore: pa u lutur”.
Lutja për meshtarin është si uji për zjarrfiksin: me se do ta shuajë flakën, që rrezikon ta bëjë shkrumb botën, në se i mungon ‘uji’, lutja?







All the contents on this site are copyrighted ©.