2009-12-03 17:58:24

Sot pasdite Papa Benedikti XVI priti në Vatikan presidentin e Federatës Ruse Dmitrij Medvedev.


(03.12.2009 RV)Papa Benedikti XVI priti sot pasdite në Vatikan presidentin e Federatës Ruse Dmitrij Medvedev. Pak përpara këtij takimi kryetari i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, kardinali Valter Kasper tha për agjencinë e lajmeve ANSA se presidenti Medvedev nuk vjen në Vatikan si ndërmjetësues i Kishës ortodokse ruse për dialogun me Kishën Katolike. “Pas shumë shekujsh të vështirë, marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe Patriarkanës ruse janë përmirësuar. Ka patur shumë shkëmbime vizitash dhe kemi qëndrime të njëjta mbi shumë probleme” iu shpjegoi gazetarëve kardinali Kasper.
Kohët e fundit, vetë vendimi i Gjykatës së Strasburgut për heqjen e kryqit nga shkollat italiane ka shkaktuar indinjatë të thellë tek Patriarkana ruse duke e afruar atë edhe më shumë me Kishën Katolike. “Ky qe një vendim që shkaktoi indinjatë tek të krishterët e të gjithë Evropës. Dhe në këtë pikë katolikët dhe ortodoksët janë të një mendimi.” vijoi më tej kardinali Valter Kasper.
Sidoqoftë për të arritur tek një takim i nivelit të lartë ndërmjet dy kishave, ka ende shumë për të bërë. Më parë duhen kapërcyer disa probleme për të cilat ka pasur përplasje. Pikësëpari problemi i Ukrainës, ku pas rrëzimit të pushtetit sovjetik katolikët e ritit bizantin i morën me forcë kishat që dikur kishin qenë të tyret, por që shteti komunist ua kishte konfiskuar dhe ia kishte dorëzuar Patriarkanës së Moskës.







All the contents on this site are copyrighted ©.