Mesazh i Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të të Sëmurit: përvoja e sëmundjes
dhe vuajtja mund të bëhen shkollë shprese
(03.12.2009 RV)Në misterin e mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit,
vuajtja njerëzore merr kuptim e dritë: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin
për Ditën e 18-të Botërore të të Sëmurit, e cila do të kremtohet më 11 shkurtin e
ardhshëm, ditën kur Kisha Katolike përkujton Zojën e Lurdës. Në dokumentin e botuar
sot paradite, Ati i Shenjtë përmend 25-vjetorin e themelimit të Këshillit Papnor për
Veprimtarët e Shëndetësisë dhe i fton të krishterët ta jetojnë konkretisht shembëlltyrën
e Samaritanit të Mirë. Duke i bërë jehonë enciklikës “Spe Salvi”, Papa nënvizon
se ajo që e shëron vërtet njeriun nuk është mënjanimi i vuajtjes, ikja para dhimbjes,
por aftësia për ta pranuar atë dhe përmes saj, për t’u bërë më të urtë e të mençur,
për të gjetur kuptimin e sëmundjes në bashkimin me Krishtin. Papa vë në dukje
impenjimin e Kishës Katolike, spitalet, ambulancat e përhapura në të gjitha anët e
botës, por, thekson Benedikti XVI, ndjehet nevoja e pranisë më të madhe të meshtarëve
e të rregulltarëve pranë të sëmurëve. Ndjehet gjithashtu nevoja që shoqëria të mbrojë
vlerat ungjillore në favor të jetës, nga zënia deri në fundin e saj të natyrshëm.
Në këtë Vit Meshtarak, Papa u thotë meshtarëve se koha e kaluar pranë të sprovuarve
nga sëmundja është burim hiri për ta e për veprimtarinë e tyre edhe në fusha të tjera.
E së fundi, u kërkon të sëmurëve të luten e t’ia ofrojnë vuajtjet e tyre Zotit për
meshtarët, që ata t’i mbeten besnikë thirrjes, në të mirë të mbarë Kishës.