2009-12-03 15:33:59

Kryeipeshkvi i Bopalit: ende sot pas 25 vjetësh nuk ka drejtësi për të varfërit dëmtuar nga fatkeqësia e Junion Karbajd.


(03.12.2009 RV)RealAudioMP3 Protesta në Indi në 25-vjetorin e tragjedisë së Bopalit. Kur po gdhihej 3 dhjetori i 1984, me dhjetra mijëra vetë u infektuan në Bopal nga lëndët kimike që rrodhën nga cisternat e fabrikës Junion Karbajd, një ndërmarrje amerikane kjo. Brenda dhjetë ditësh vdiqën më se 10 mijë vetë. 15 mijë të tjerë vdiqën në vitet më vonë, por ende sot janë shumë ata që kanë lindur me probleme, që vuajnë nga tumore dhe patologji të ndryshme për shkak të ndotjes kimike. Manifestuesit që dolën në rrugë këto ditë kërkuan drejtësi për viktimat që janë dëmshpërblyer me shuma qesharake si edhe bonifikimin e plotë të fabrikës dhe të zonës rreth e përqark. Po më hollësisht në mikrofonin tonë flet kryeipeshkvi i Bopalit Imzot Lio Kornelio. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Ende nuk ka drejtësi! Ka shumë njerëz që vuajnë akoma, mbi të gjitha të varfërit. Sigurisht, sot pas 25 vjetësh kujtimi i asaj tragjedie mbetet pse padrejtësia nuk është vënë në vend. Ka shumë manifestime proteste, por nuk bëjnë bujë nëpër botë, nuk përbëjnë lajm. Bëhet fjalë për të varfër, pra, për persona që nuk çojnë peshë. Nuk ka drejtësi sepse kjo shoqëri shumëkombëshe ka dhënë diçka, por jo atë që kanë kërkuar të varfërit. Ka akoma shumë probleme që nuk janë zgjidhur. Duhet të ekzistojë vullneti për të bërë atë që është e nevojshme për t’u zgjidhur këto probleme.

Pyetje: Imzot Kornelio, sot 25 vjet pas asaj tragjedie thuhet se toka është ende e ndotur nga mbeturinat toksike....


Përgjigje: Kjo zonë është padyshim e ndotur dhe duhet ta pastrojnë të tërën. Kjo gjë është shumë e rëndësishme. Njerëzve që kanë humbur gjithçka, qeveria iu thotë të mos kenë frikë, por edhe zvogëlimi i pasojave të kësaj tragjedie nuk është një gjë e mirë. Sigurisht ka ende shumë probleme. Dhe për t’i zgjidhur ato përfundimisht, duhet të ekzistojë vullneti. Mbase atëherë të varfërit do të gjejnë pak drejtësi.

Pyetje: Çfarë bën Kisha e Bopalit?

Përgjigje: Qysh në fillim të kësaj tragjedie Kisha ka qenë gjithmonë përkrah të varfërve dhe ka bërë gjithnjë atë që ka mundur, dhe kjo veprimtari e saj vazhdon ende sot. Tani për tani kemi tri shkolla për të paaftit, që frekuentohen nga më shumë se 200 fëmijë që janë mirënjohës. Kemi pastaj edhe dy spitale ku të sëmurët trajtohen mirë dhe marrin të gjithë ndihmën e mundur. Me shpenzime krejt të vogla mund të blejnë barnat që iu nevojiten. Kemi edhe tri a katër qendra shoqërore ku i ndihmojmë njerëzit sipas nevojave, me atë që kemi. Në këtë mënyrë Kisha është gjithmonë aktive në ndihmën që iu jipet këtyre njerëzve. Gjithashtu e mbajmë të hapur dialogun edhe me qeverinë për t’i ndihmuar të varfërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.