2009-12-02 19:20:02

Tryeza e paqes: t’i jepet zë Betlehemit të mbyllur pas murit!


(02.12.2009 RV)Pak ditë para Krishtlindjes, Flavio Loti, koordinator italian i Tryezës së paqes, bën thirrje për të mos e harruar Betlehemin.
Tradita – pohon koordinatori – na kujton se Jezusi lindi në një shpellë, jo larg Betlehemit, të cilit sot po i zihet fryma nga muri i madh e nga pushtimi i rreptë ushtarak, që vijon prej dhjetë dekadash. Banorët e Betlehemit, të gjithë fëmijë, gra e pleq, njerëz të ligshtë, jetojnë në kushte gjithnjë më të vështira. Janë të burgosur nën qiellin e hapur! Ndërtimi i murit dhe ngulimet e reja izraelite, grabitja e trojeve e kufizimet e shumta fizike dhe administrative e kanë shkatërruar ekonominë e qytetit, duke i bërë gjithnjë më të vështira kushtet e jetesës.
Prej këndej buron thirrja drejtuar gazetarëve dhe përgjegjësve të informacionit , t’i ndezin të gjithë reflektorët e mundshëm mbi Betlehemin e t’i tregojnë mbarë njerëzimit ç’do të thotë të lindësh e të jetosh sot, atje ku dymijë vjet më parë lindi, jetoi, vdiq e u ngjall Jezusi. E kjo do të thotë edhe t’i japësh zë, atyre që s’kanë zë, viktimave të pafajshme të padrejtësisë, në një botë që, me sa duket, e ka ndër mend të mbetet mizore, si në kohën e Herodit.








All the contents on this site are copyrighted ©.